E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria e Berishës, kompani private që bën biznes me pasuritë e shqiptarëve

KORCE - Partia Socialiste u ndal sot në Maliq të Korçës, ku zhvilloi një takim elektoral me banorët e kësaj zone. Kryesocialisti Edi Rama ftoi banorët që t’i besojnë Partisë Socialiste, duke i garantuar se pas 23 qershorit do të kenë një qeveri që do tu qëndrojë përkrah.

“Unë ju zotohem se PS dhe Aleanca për Shqipërinë Evropiane, qeveria jonë e re do të jenë pranë jush. Zgjedhja në 23 qershor është shumë e qartë. Kush e do pushtetin në qafë le ta mbajë gjyshin me antiplumb me gjithë 200 rojet dhe zinxhirët e skllavërimit për të gjithë ata që për një copë bukë punojnë në këtë shtet. Ndërsa kushdo një qeveri në krah për ta patur mbështetje në fshat dhe në qytet duhet të votojë Partinë Socialiste”,- u shpreh Rama.

Kryesocialisti e cilësoi qeverinë e kryeministrit Berisha, si një kompani private që sipas tij, bën biznes me pronat e pasuritë e shqiptarëve.

“Unë nuk e di se çfarë përrallash tregon gjyshi me antiplumb këtu, por di që këtu në Maliq ka një përrallë, ajo e kënetës së famshme që ne kur ishim të vegjël e dëgjonim si një përrallë të kohëve të lashta. Sot është kthyer dhe çdo ditë nxjerr kurrizin e saj duke u shtrirë në fushën e begatë të Maliqit. Sepse kjo qeveri që i thotë vetes qeveri e Republikës së Shqipërisë, është një kompani private që bën biznes me pronat dhe pasuritë e shqiptarëve. Shqipëria është vendi që i ka të gjitha për të jetuar në begati, por kur vendi udhëhiqet nga qorra dhe shurdhër që nuk kanë sy të shikojnë plagët e popullit të tyre, që nuk kanë veshë të dëgjojnë për shpresat dhe ëndrrat e popullit të tyre, Atdheu humbet pasuri, bukuri, potenciale, shpresa dhe ëndrra”,- deklaroi Rama.

Kreu i PS-së tha se kryeministri Berisha nuk mund të flasë për asnjë arritje në katër vitet e fundit dhe vijon të bëjë fushatë me anëtarësimin në NATO, si në vitin 2009.

“Saliu thotë NATO, NATO. Shqipëria hyri përpara zgjedhjeve të shkuara. Po pse mos zoti kryeministër në ikje, që shyqyr që po ikën, do tu thuash shqiptarëve se i fute në NATO. Duke thënë dy gënjeshtra, se në NATO Shqipërinë e futën SHBA, miqtë dhe partnerët tanë falë këtij populli që prej vitesh e meritonte dhe e dyta sepse me NATO-n e ke bërë njëherë një fushatë në 2009-ën. Çfarë ke për të thënë në këto katër vite. Pse nuk u kërkon ndjesë shqiptarëve se vrasjet dhe grabitjet u katërfishuan”,- deklaroi Rama.

Më tej Rama theksoi angazhimin e të majtëve për rritjen e punësimit, mbështetjen për familjet shqiptare, ulje taksash për 95% të shqiptarëve, heqjen e taksës për disa nga ushqimet bazë, etj.

“Saliu thotë ç’janë këta që duan të heqin taksën e bukës, si ta lëmë ne taksën e bukës 20%. Pse njerëzit duhet të paguajnë taksë edhe për fetën e bukës, edhe për kokrrën e vezës, edhe për kilen e vajit e të miellit? Duke dashur që t’i shmanget përgjigjeve të qarta që programi ynë jep kundër varfërisë, ai shpif. Ne flasim për 5 produktet bazë, që mbajnë gjallë frymën e një familjeje. Shqipëria ka në timon një drejtues që po e çon drejt humnerës. Duke ulëritur, në pamundësi për t’i treguar popullit se çfarë përmirësimesh solli në jetën e familjes së zakonshme, Saliu thotë ç’është kjo si do hiqen taksat për 95% të shqiptarëve. Jo taksat nuk do hiqen, por do ulen patjetër për 95% të shqiptarëve”,- tha Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›