E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria strehon të pandehurit

Tiranë (start)-Duke folur në përvjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave e Lirive të Njeriut, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha se Shqipëria mbetet një vend ku njerëzit nuk janë të barabartë përpara ligjit, ndërsa qeveria sipas Ramës jep përditë shembullin më të turpshëm të promovimit të kësaj pabarazie, duke u bërë strehë ministrash të pandehur, që nuk paraqiten përpara drejtësisë.

“Shqipëria mbetet një vend ku pabarazia përpara ligjit dhe abuzimi i pushtetit me ligjin bën që të cënohet përditë e drejta e qytetarëve të thjeshtë dhe që përditë klientët e qeverisë të përfitojnë padrejtësisht në kurriz të shtetit të të gjithëve”-theksoi kreu socialist.

Gjithashtu, Rama deklaroi se në vendin tonë, e drejta e konkurrencës së lirë e të ndershme shkelet përditë nga një shtet i kapur prej një tarafi njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin. Edhe të drejtat e grave, sipas kreut socialist shkelen përditë, ku trafiku njerëzor për shfrytëzimin e tyre vazhdon të jetë një plagë e madhe.

“Shqipëria mbetet një vend ku puna e zezë skllavëron përditë jo vetëm të rritur por edhe fëmijë, të cilët detyrohen të çmontojnë edhe bomba në kushtet e një pushteti që flet për të drejta dhe s'bën asgjë kundër padrejtësive, betohet për ligjin dhe njeh vetëm urdhrin, ka lindur nga vota anti-korrupsion dhe është bërë shëmbëlltyra e korrupsionit”-vijoi më tej ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›