Rama: “Qeveria ti dorëzojë Drejtësisë ministrat Basha dhe Mediu”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas publikimit të Progres-Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Rama tha se ky raport është pasqyra realiste e krizës së rëndë të demokracisë që ka mbërthyer vendin. Duke cituar problemet e përmendura në raport, kryesocialisti u ndal kryesisht në mospërmbushjen e standardeve në zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe në presionet qeveritare që janë ushtruar në drejtim të sistemit të Drejtësisë. Duke folur për zgjedhjet, Rama deklaroi se hapja e kutive të votimit është një kusht i panegociueshëm për Partinë Socialiste, pasi vetëm një gjë e tillë do të zhbllokonte dialogun politik. Kreu i PS-së tha se Raporti kritikon ashpër qeverinë për mungesën e rezultateve në luftën e korrupsionit. Rama theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë e suksesshme për sa kohë qeveria i ushtron presion Gjyqësorit për të mos dënuar ministrat e pandehur. Në emër të opozitës, kreu i PS-së kërkoi dorëzimin përpara Drejtësisë të ministrave Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu.
Zgjedhjet
Rama theksoi se Partia Socialiste ndan të njëjtin qëndrim me Komisionin Europian, se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nuk përmbushën standardet normale të një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai përsëriti edhe njëherë domosdoshmërinë e hapjes së kutive të votimit. “Gjejmë këtu rastin të ritheksojmë me vendosmëri se vetëm hetimi parlamentar, i pavarur nga qeveria, i këtyre zgjedhjeve pa standarde, duke filluar nga hapja e kutive të 28 qershorit si një kusht i panegociueshëm për cilësinë e këtij hetimi, mund të zhbllokojë dialogun politik dhe t’i hapë rrugë adresimit të sfidave të rëndësishme që ka vendi përmes reformash që, sot për sot, nuk kanë asnjë shans të kryhen, pikërisht sepse Parlamenti i sotëm nuk ka asnjë legjitimitet për t’i ndërmarrë pa u çliruar më parë nga barra e krimit elektoral që ka lindur vetë këtë Parlament dhe qeverinë e dalë prej tij”, - deklaroi kreu i PS-së. Ai theksoi gjithashtu se opozita bashkohet me konstatimet alarmante të vërejtura në Raport në lidhje me uzurpimin e institucioneve të Drejtësisë nga ana e Ekzekutivit, keqadministrimin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, dhunimin e lirisë së medias përmes presioneve politike e financiare të pushtetit dhe gjobave selektive ndaj mediave kritike me qeverinë, si dhe shkatërrimin e kapaciteteve administrative përmes emërimeve politike.
Korrupsioni
Duke vijuar më tej, Rama foli për mungesën e suksesit të qeverisë në luftën kundër korrupsionit. Ai tha se qeveria aktuale e ka të pamundur të korrë suksese në këtë angazhim, sepse Familja në Pushtet, siç e cilësoi ai, dhe shërbëtorët e saj janë ngritur mbi ligjin, duke gëzuar imunitet për vepra shumë të rënda korruptive. Sipas Ramës, një gjë e tillë ka ndodhur falë presionit mafioz që Familja në Pushtet ka ushtruar mbi Drejtësinë dhe njerëzit e Drejtësisë. Në emër të opozitës, Rama ka kërkuar dorëzimin përpara Drejtësisë të dy ministrave të pandehur, Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha. “Edhe në këtë kontekst, kur miqtë e partnerët tanë europianë detyrohen të përmendin në Raportin më të rëndësishëm për Shqipërinë, emrin konkret të një ministri të riveshur me imunitet e të ricikluar në qeverinë e vendit, fill pas riciklimit të Pushtetit të Familjes përmes grabitjes së zgjedhjeve, në emër të opozitës shqiptare rikërkoj dorëzimin para Drejtësisë të Fatmir Mediut e Lulzim Bashës. Dy oborrtarët e pushtetit të familjes, të cilët nga ana e tyre fshehin sekretin e implikimit të drejtpërdrejtë të Familjes në Pushtet, qoftë në krimin shtetëror të Gërdecit, qoftë në krimin ekonomik të zhvatjes së fondeve të rrugës Durrës-Kukës, duhet të gjykohen deri në fund”, - tha Rama.
16 Tetor 2009