E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Raporti i KE-së është inkurajues për procesin e integrimit të Shqipërisë”



Shaban Sulçe

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka përshëndetur Progres-Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Meta e ka cilësuar atë një raport realist, konstruktiv dhe konkret për inkurajimin e Shqipërisë në arritjen e standardeve që kërkon integrimi europian. Meta tha se të gjitha rekomandimet e evidentuara në këtë raport do të përbëjnë një objektiv kryesor për punën e mëtejshme të Qeverisë së Integrimit Europian, e cila, sipas tij, ka angazhuar kapacitetet e saj më të mira në funksion të përmbushjes së standardeve për integrimin e Shqipërisë në BE. Ministri i Jashtëm u ndal veçanërisht në vlerësimin pozitiv që shpreh Raporti lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, të cilat u certifikuan nga OSBE/ODIHR-i si të suksesshme.

Opozita
I pyetur nga gazetarët se çfarë duhet të bëjë maxhoranca për të tërhequr opozitën në Kuvend, Meta tha se maxhoranca ka bërë të gjitha përpjekjet për të bashkëpunuar me opozitën. Ai tha se maxhoranca është e gatshme që të plotësojë edhe kushtin e vendosur nga opozita për të pasur shumicën në komisionin hetimor parlamentar. Ministri i Jashtëm tha se opozita duhet të heqë dorë nga rruga e bojkotit, pasi do të ketë përgjegjësi të veçantë nëse bllokon procesin e integrimit.
“Besoj se maxhoranca i ka bërë të gjitha përpjekjet dhe i ka lënë të gjitha dyert e hapura për të bashkëpunuar me opozitën për ecurinë e të gjitha reformave në vend. Vetë ju keni qenë dëshmitarë të kërkesave të vazhdueshme dhe jam i bindur se qeveria dhe maxhoranca, duke respektuar sistemin kushtetues të vendit, duke respektuar pavarësinë e Gjyqësorit, kanë dhe do të kenë gjithnjë vullnetin për të krijuar të gjitha hapësirat dhe mundësitë që opozita, kërkesat dhe pretendimet e saj t’i zgjidhë brenda institucioneve, madje edhe duke i dhënë përparësi asaj, sikurse ka qenë edhe qëndrimi i kryeministrit Berisha për t’i dhënë shumicën në rastin e një komisioni hetimor parlamentar. Nëse opozita e kthen në një qëllim në vetvete bojkotin me strategjinë për të paralizuar institucionet, do të bëjë një gabim shumë të madh për veten e saj në radhë të parë, dhe do të mbajë përgjegjësi të veçantë lidhur me këtë proces integrues, kur të gjithë shqiptarët presin rezultate konkrete. Në mënyrë të veçantë për liberalizimin e pritshëm të vizave, vendim për të cilin ne jemi shumë optimistë që do të realizohet brenda vitit të ardhshëm, sepse nuk mundet kurrsesi që axhenda e cilitdo të bllokojë aspiratat e një populli të tërë”, - tha Meta.

Aplikimi
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm shprehu bindjen për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesës së Shqipërisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ai tha se ky raport është inkurajues për procesin e integrimit të Shqipërisë. “Ne jemi të bindur që në momentin më të parë kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe vlerësohet dhe se komisioni do të përgatisë pyetësorin për Shqipërinë. Më e rëndësishme nuk është koha apo periudha kur do të trajtohet një kërkesë e tillë, por përgatitja jonë për t’iu përgjigjur pyetësorit të pritshëm me një organizmin sa më efikas të të gjitha kapaciteteve tona administrative, duke tërhequr në këtë aksion të madh edhe ekspertët më të mirë jashtë administratës publike, pra nga sektori privat apo shoqëria civile. Problemet e tjera janë të karakterit procedural. Ndërsa Progres-Raporti, siç e dëgjuat edhe nga komisioneri Rehn, ky është një progres-raport inkurajues për procesin e integrimit të Shqipërisë”, - tha Meta. Lidhur me vërejtjet e bëra në mungesën e rezultateve për luftën kundër korrupsionit, ministri i Jashtëm tha se ky problem tërheq vëmendjen për të gjitha vendet e rajonit. Gjithsesi, ai sqaroi se qeveria po angazhohet maksimalisht për të pasur rezultate të suksesshme në këtë drejtim.

16 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›