E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qytetarët s’gënjehen me tunele, mitingu i Elbasanit, mesazh i qartë për Berishën

PEQIN – Partia Socialiste përmbylli sot fushatën elektorale në Peqin. Kryesocialisti Edi Rama tha se përmes mitingut të Elbasanit mbrëmjen e djeshme, i cili përkoi me përurimin e autostradës Tiranë-Elbasan, qytetarët i dhanë kryeministrit Berisha mesazhin e qartë se nuk gënjehen me asfalt e tunele elektorale.

“Ju jeni mbledhur këtu më shumë se asnjëherë tjetër për Partinë Socialiste. Kjo është fryma e rilindjes që po vjen, mbështetja juaj për rilindje. Kjo është dita për të manifestuar këtu në qendrën e Peqinit dëshirën e papërmbajtur që historia e rrënimit të mbaroj dhe një histori e re të fillojë. Sot unë jam gdhirë me mbresën e jashtëzakonshme të mitingut madhështor që Elbasani zhvilloi dje duke i çuar një mesazh kumbues katragjyshit. Nuk gënjehet më ky populli as me asfalt elektoral, as me tunele elektorale sepse ky popull është në prag të vendimit për të dalë nga tuneli i papunësisë, nga tuneli i varfërisë, nga tuneli i analfabetizmit, nga tuneli i ndotjes dhe i braktisjes, nga tuneli i korrupsionit dhe i krimit , nga tuneli i mungesës së shpresës ku Saliu e tërhoqi zvarrë, ku pas 8 vjetësh shqiptarët do të dalin me kokën lart për të ndërtuar rrugën e rilindjes ” - tha Rama.

Më tej kryesocialisti vlerësoi kandidatin e PS-së Alfred Peza, dhe u bëri apel qytetarëve që të votojnë PS-në në 23 qershor, “për të përqafuar ëndrrën e rilindjes”.

Rama u zotua se pas 23 qershorit, qeveria socialiste do ti qëndrojë në krah çdo qytetari, duke premtuar se përpjekjet për të zgjidhur hallet e problemet do të jenë të përbashkëta.

“Hiqni nga kurrizi ata, flakini dhe përqafoni ëndrrën e rilindjes, duke shkuar në 23 qershor në kutinë e votimit dhe duke vendosur fundin e rrënimit dhe fillimin e rilindjes. Ne ju zotohemi se me votën tuaj tek numri 29 ju do të çliroheni nga një zgjedhë varfëruese dhe poshtëruese dhe do ta na keni në krah, në të mirë dhe në të keq.”- tha Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›