E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta Topi: Helikopteri mbi shtëpinë tonë? S’trembem nga gjëra pa vlerë

TIRANE - Vazhdon të na krijojë të njëjtën ndjesi, atë të dikurshmen, e qetë, e sjellshme madje edhe kur e teprojmë me insistimin tonë. Ditën e ka tejet të zënë, me studimet e doktoraturës, detyrën në Ministrinë e Bujqësisë ku punon prej shumë vitesh, dhe punët në familje, ku ajo ka merak të jetë çdo gjë gati për bashkëshortin e vajzat e saj dhe megjithatë nuk na thotë jo, sepse e kupton mirë dhe respekton profesionin tonë. Jemi me zonjën Teuta Topi, këtë grua që nuk i kushton shumë rëndësi veshjeve firmato, dukjes, fjalëve boshe... Ajo është e thjeshtë, gjë që e lehtëson shumë komunikimin mes nesh. Në intervistën e sotme për Gazetën Shqiptare, ajo flet veç të tjerash edhe për incidentin e helikopterit që ndaloi mbi oborrin e shtëpisë së tyre, marrëdhënien me vajzat dhe opinionet për politikën në vend.
Prej gati një viti i jeni rikthyer jetës tuaj normale; si është dita juaj, vazhdoni të punoni në Ministri të Bujqësisë apo?
I jam rikthyer me kënaqësi rrjedhës normale të ditës, ku sigurisht, një pjesë të mirë të saj e zë puna në Ministrinë e Bujqësisë. Vazhdoj patjetër ta ushtroj profesionin tim, sepse është ai që mua më është bërë shumë i dashur, që e bëj me përkushtim dhe me po aq pasion sa ditën e parë. Por, as tani, as në periudhën me impenjime sociale të jetës si Zonjë e Parë, nuk e kam lënë dot asnjëherë punën pas dore. Për mua është motivim dhe detyrim i lartë personal që të jap maksimumin në jetën time profesionale.
Dashur pa dashur jeni bërë pjesë e politikës, duke qenë bashkëshortja e z.Bamir Topi, ish-president i Shqipërisë e sot kryetar i FRD-së. Ju vetë si e shihni politikën shqiptare, sa e ashpër është ajo, sa efektive e sa manipuluese njëkohësisht?
Ju po i rendisni edhe vetë disa nga karakteristikat me të cilat njësohet menjëherë politika shqiptare, sapo flitet për të. Po, ajo është e ashpër, është edhe manipuluese, ashtu sikundër në momente të veçanta më pëlqen tek konstatoj se është edhe efektive. E gjitha varet nga momenti politik ku gjendet vendi, por në shumë raste, edhe nga gjendja e politikanëve vetë. Ndodh që, për arsye që nuk kanë lidhje me politikën në emër të qytetarëve, por thjesht për arsye personale, politikanët ta shndërrojnë mjedisin ku jetojmë në një habitat të vështirë e të papërshtatshëm për të gjithë ne. Ndodh që kapërcehen kufijtë profesionalë e publikë dhe shohim që politika merret me jetën personale të njëri-tjetrit, ndërkohë që janë zgjedhur të jenë aty ku ndodhen për t’u shërbyer qytetarëve, e jo për të qenë manipulativë e pengues të ecurisë normale të jetës politike dhe shoqërore në vend.
Kur ish-Presidenti vendosi të përfshihej në FRD, a e diskutoi në familje dhe pse mendoni se ai duhet të jetë pjesë e politikës shqiptare? 
Sigurisht që e biseduam në familje. Njëlloj si shumë kohë më parë, në fillim të viteve ’90, kur për net të tëra me radhë shqyrtonim me kujdes arsyet pro dhe kundër angazhimit të tij në politikë. Atëherë po, ka qenë vendimi më i vështirë, sepse bëhej fjalë të zgjidhte midis jetës së tij akademike e profesionale, për të cilat Bamiri kishte investuar shumë deri atë ditë. Por, ishte gjithashtu tejet i dhënë pas zhvillimeve politike në vend dhe ndjente një detyrim të madh të brendshëm për t’u angazhuar. Ishte shumë e qartë për ne se e ardhmja e tij do të merrte një tjetër rrugë, ndaj edhe e kam mbështetur me këmbëngulje dhe mjaft e bindur në të ardhmen e tij. Ndaj, kur mbaroi mandati presidencial dhe diskutonim për hapat e mëtejshëm, ishte e natyrshme të mendonim se vijimi do të ishte në politikë. Pas një investimi kaq të madh, nuk do të kishte asnjë kuptim të ishte ndryshe. Bamiri nuk i lë kurrë gjërat përgjysmë, aq më tepër angazhimet publike. Ndaj, ishte mëse e natyrshme që ta mbështesja, e madje, ashtu si edhe në fillimet e karrierës së vet, të ofroja pjesën time të nxitjes, që të ndjekë rrugën që e ka kaq shumë përzemër e është i gatshëm t’i shkojë misionit politik deri në fund.
Politika ka momente që të ngre dhe të ul psikologjikisht; cilat kanë qenë dy rastet respektive kur ju jeni ndjerë mirë dhe keq, nga fjalët që kanë thënë për ju e familjen tuaj apo dhe uratat që keni marrë?
Sigurisht, kur je një person publik dhe aq më shumë si familje presidenciale, detyrimisht do të përjetosh të tilla momente. Unë besoj se i kam kapërcyer të mirat dhe të këqijat që sjell përfshirja në jetën publike mes dashurisë dhe përkujdesjes familjare.
Si familja e ish-presidentit, duket se ju gjëmojnë edhe situata çuditërisht të frikshme, siç ishte ajo e helikopterit të ushtrisë që gati u ul mbi shtëpinë tuaj. Çfarë menduat në atë çast, a u ndjetë të pambrojtur?
Edhe pse e konsideroj një veprim të pamatur, fatmirësisht jeta më ka mësuar të mos trembem për gjëra pa vlerë.
Jeni nëna e dy vajzave që ju kanë përfaqësuar denjësisht, që bëjnë e shohin punën e tyre; cili nga ju të dy ka pasur më shumë efekt në edukimin e tyre?
Vajzat kanë lidhje të forta me të dy ne. Si në çdo familje, secili ka pjesët e veta të veçanta në këto marrëdhënie, dhe në momente të veçanta të jetës kanë ndjerë më shumë nevojën të konsultohen me njërin apo me tjetrin prej nesh. Megjithatë, Nada dhe Etida e adhurojnë babanë e tyre, ashtu sikundër janë një mbështetje dhe qetësi e madhe edhe për mua. Familja jonë është munduar t’i qëndrojë larg politikës dhe Bamiri ka një meritë shumë të veçantë për këtë, sepse jo vetëm iu ka qëndruar vajzave pranë, por edhe ka bërë gjithçka që politika të mos hyjë brenda shtëpisë, të vijojë të ketë orët, ditët dhe javët normale të çdo familjeje në Shqipëri. Sigurisht që bisedon me to për gjithçka dhe mbi të gjitha, këmbëngul që ato të vlerësojnë një virtyt mbi të tjerët: mirënjohjen.
Meqë vajzat kanë marrë orientimin e tyre, a të pëlqen të jesh gjyshe?
Nuk besoj se ka ndonjë prind që nuk ëndërron e që nuk ka kënaqësi të jetë gjysh apo gjyshe e ta mbushë jetën me dashurinë e pamatë që të japin nipërit e mbesat.
Keni dhe ruani gjithmonë një aureolë rreth vetes, atë të gruas familjare, të qetë, që bën mirë profesionin e saj, si nënë e si grua në karrierë; a keni pasur momente që keni dashur të bëni ndonjë çmenduri, që keni qenë e lodhur nga gjithë këto korniza?
Unë e dua aq shumë punën time, saqë situata si kjo që thoni, as që më kanë shkuar ndërmend. Në pë-rgjithësi jam shu-më racionale edhe në mendimet e mia, jo vetëm në veprimet personale apo profesionale. Ndaj, duke qenë se aventurat nuk janë pjesë e natyrës sime, nuk ka si të më shkojë ndër mend që të bëj veprime që mund të bien ndesh me karakterin apo personalitetin tim.
Të qenit Zonjë e Parë, që ju e keni provuar për 5 vjet, bën qe të jeni në qendër të vëmendjes e të keni shumë njerëz përqark. A ndjetë shterim të këtyre “miqve” pas largimit nga Presidenca? Cilët janë miqtë që keni pasur e që ju kanë mbetur ende?
Miqtë e mi të vërtetë kanë qenë të tillë që përpara jetës presidenciale dhe ata vazhdojnë të jenë të tillë. Ndaj, në këtë rang miqsh, jo, nuk kam asnjë rrjedhje. Njohjet e jetës presidenciale mund të kenë ndryshim nga kjo kategori, kurse miqtë që kam, mbeten të tillë që nga koha kur miqësitë janë formuar, pa pasur në themel statusin shtetëror.
Para pak ditësh ju pamë në Spitalin Ushtarak tek vizituat kandidatin e FRD-së së Përmetit, i cili u rrah keq. Pse vendosët të ishit përkrah bashkëshortit tuaj?
Së pari, është njerëzore të vizitosh dikë në spital. Së dyti, nëse rasti është sa human, aq edhe politik, sigurisht që do të mbështes kauzën e bashkëshortit tim, dhe është më e pakta që mund të bëj, duke e shoqëruar në vizita të tilla.
Më shumë se gjysma e jetës suaj ka kaluar pranë z.Bamir Topi. A do të donit t‘i ndryshonit ndonjë gjë këtyre viteve me të?
Sa herë i bëj skanim, qoftë edhe disa sekondash viteve të mia familjare, më vijnë ndërmend vetëm çaste të bukura: lindja e vajzave, rritja e tyre, arritjet në karrierë, të miat dhe të bashkëshortit, përpjekjet për ta bërë jetën tonë sa më të bukur dhe aktive. Ndaj, jo! Nuk do doja t’u ndryshoja asgjë çasteve të bukura që kam kaluar e po kaloj me familjen time.
Cilat janë të mirat e mangësitë e njeriut që keni kaluar shumicën e viteve?
Tiparet që vlerësoj më shumë tek bashkëshorti im janë maturia dhe durimi i tij i pafund. Për të njëjtat virtyte, mund të them se mbase në moment të caktuar, mund edhe të kenë qenë dobësitë që kanë punuar kundër tij.
Zonja Topi, a ka pasur momente në jetën tuaj kur keni qenë e detyruar të merrni pjesë në ndonjë takim apo event?
Jo. Në të gjitha aktivitetet ku kam qenë prezent, kam shkuar me dëshirë dhe me kënaqësinë e madhe e të qenit përkrah bashkëshortit tim, për të respektuar atë por edhe për të nderuar ata që na ftojnë.
Ju keni pasur mundësi më shumë se një familje e thjeshtë për t’i dërguar vajzat jashtë për shkollim. Pse nuk e keni bërë?
Ka qenë dëshirë sa e jona, aq edhe e vajzave që të studiojnë në Shqipëri. Ato ndjehen të lidhura me ne, me qytetin, me vendin ku janë rritur, ndaj edhe e kemi respektuar zgjedhjen e të dy palëve.
Si e shihni të ardhmen e Shqipërisë? Çfarë duhet të bëjë politika shqiptare për të na ofruar një vend të qetë e ku jetohet mirë?
Politika nuk duhet të prodhojë konflikt, por të ofrojë zgjidhje. Duhet që në plan të parë të vendosë interesin e shqiptarëve dhe jo interesat personale. Nëse qytetari vjen i pari në hierarkinë e zgjedhjeve për politikanët, dhe jo jeta apo interesi i tyre personal, atëherë përfitojmë të gjithë, duke filluar mbase nga politikanët vetë. Nëse do të arrihet kjo, e ardhmja e Shqipërisë do të ishte më e mirë, më e arritshme dhe më e besueshme për të gjithë.
Po vajzat, a kanë shprehur ndonjëherë dëshirën për t’u marrë me politikë? 
Vajzat i kanë sytë nga formimi ekonomik dhe juridik, e akoma janë shumë të dhëna pas studimeve. Ndaj, për momentin nuk duket të shfaqin ndonjë ambicie për t’u marrë me politikë. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›