E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Reforma në Drejtësi në fazën e dytë, pas pavarësisë profesionalizmi dhe standardet demokratike të panegociueshme

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëheraz kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se Shqipëria tani ka hyrë në fazën e dytë të Reformës në Drejtësi, që ka të bëjë me një drejtësi europiane dhe jo drejtësi ruse, ku pavarësia është vetëm njëri nga kushtet dhe ku profesionalizmi dhe standardet demokratike janë dy kushte të tjera të panegociueshme.

Në dëgjesën e Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me 24 masat e sigurisë së vendosura nga SPAK ndaj stafit dhe pedagogëve të këtij universitetit, Rama theksoi se “ne nuk përcaktojmë gjykatës e prokurorë dhe as aktet dhe vendimet e tyre, apo provat dhe masat penale”.

“Unë nuk dua që teksa ne po negociojmë me BE-në dhe duam të bëhemi anëtarë të BE-së të çohet një holandez dhe francez, si janë çuar në të shkuarën dhe të thotë se nuk kemi ne asnjë dyshim se Shqipëria e ka vullnetin politik për të luftuar korrupsionin por Shqipëria nuk ka gjykata dhe nuk ka prokurori që respekton standardet demokratike dhe që njeh europianisht prezumimin e pafajësisë”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur drejtorit të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, i cili kontestoi dje thirrjen e rektorit të UBT-së në grupin parlamentar të PS-së, Rama siguroi se “nuk ofrojmë asnjë model negativ”.

“Modelet negative janë aty, ka 5 vjet por nuk e di nëse zoti Afrim mbase e ka bërë, ka qenë ndonjëherë kaq i shqetësuar kur ka parë se si drejtuesi i SPAK është kërcënuar personalisht dhe familjarisht, kur ka parë se si prokurori kryesor, i cili ka pasur dhe ka gjithë mbështetjen tonë dhe gjithë solidaritetin tonë për të gjitha ato që i kanë ndodhur është sulmuar kafshërisht”, tha Rama.

Në vijim Rama tha se “nuk e di ku kanë qenë këta që sot po mbrojnë SPAK dhe drejtësinë nga ne”.

“Nuk e di ku kanë qenë këta Afrimët dhe Largimët dhe nuk e di në cilin kapitull të historisë së Shqipërisë nga viti 1912 deri në këtë periudhë kur qeverisim ne, historianët Afrim-Largim kanë parë ndonjë rast tjetër, le të na e tregojnë. Unë kam kohë që i kam sfiduar dhe nuk kam dëgjuar asnjë historian që të nxjerri një rast dhe të thotë ja se si nga vitit 1920 deri në vitin 2009 u mor një ministër dhe u çua përpara një prokurori dhe gjykatësi të pavarur dhe kryeministri dhe partia në pushtet nuk thanë asnjë fjalë. Ta gjejnë”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›