E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Rrisim sërish pagat dhe pensionet

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë zhvilluar sot një takim me mësuesit e qytetit të Lushnjes.

Një prej mësuesve të pranishme në takim, e pyeti Kryeministrin për planin e rritjes së pagave për mësuesit në katër vitet e ardhshme të qeverisjes socialiste.

“Ne do të bëjmë së shpejti edhe hapin tjetër të paraqitjes së objektivave sepse e keni dëgjuar besoj që mua më thonë shpeshherë ky ja di këtij populli dele, njëherë me tepsi, njëherë me kazan, njëherë me timon, tani me buf e me kënetë dhe s’ka program.

Këto qershish mbi tortë janë mjete komunikimi dhe janë mjete që thjeshtëzojnë komunikimin, por nuk janë absolutisht as programi dhe as arsyeja, apo tërësia e arsyeve pse ne hyjmë në një betejë apo pse ne duam një mandat. Ne jo vetëm që kemi program, por falë programit tonë dhe falë punës së bërë sot, Shqipëria është tjetër nga ajo që ishte”, tha Rama.

“Shqipëria sot është një hap larg realizimit të një ëndrre shumë të vjetër, nuk ka pasur BE në kohën e Skënderbeut, në kohën e vëllezërve Frashëri, Ismail Qemalit, por gjithmonë ka pasur një prirje të brendshme shumë të fortë të shqiptarëve për të parë në perëndim, siç thoshte Naimi, aty ku dielli lind nga perëndon dhe për të qenë pjesë e Evropës me gjithçka Evropa përfaqëson historikisht, kulturalisht etj.

E kaluara, rrënjët tona i përkasin atij pellgu të kulturës dhe civilizimit evropian, kështu që nëse ne nuk do kishim program, objektiva për të realizuar në të gjithë drejtimet, ne nuk do ishim sot në kushtet që t’i merrnim BE-së dakordësinë për t’i mbyllur negociatat brenda 2027”, vijoi Kryeministri Rama,

Kryeministri u ndal edhe tek tipologjitë e paragjykimeve që kanë njerëzit, lidhur me faktin që Shqipëria duhej të ishte futur para 20 viteve në BE, por ka shumë hajdutë.

“Kush thotë kështu, nuk e ka idenë për çfarë flet, por i duhen thënë fakti që fqinjët tanë, Maqedonia e Veriut kanë shumë më tepër vite se sa ne që presin dhe janë mbrapa nesh, Serbia i ka hapur negociatat kur ne kemi martë statusin e vendit kandidat në fund të 2014 dhe ka 11 vjet me negociatat hapur. Mali i Zi ka hapur negociatat në një periudhë kohore po aq dhe mos më shumë, ne i kemi hapur vjet, na kanë marrë zvarrë për një kohë të gjatë, me Veto të natyrave të ndryshme politike, ne kemi bërë punën”, pohoi Rama.

“Kam thënë edhe brenda qeverisë, skuadrës, publikut ne do bëjmë punën njësoj sikur t’i kishim hapur që kur t’i hapim të jemi të avancuar, dhe ato nuk janë të fshehta dhe faktikisht ne kemi marrë harkun më të shkurtër kohor për t’i mbyllur negociatat. Sot të gjithë në BE e thonë me gojën plot Shqipëria dhe Mali i Zi janë më afër. Të gjitha këto lidhen me fakte të punës së përditshme, me çfarë bëjmë me ekonominë, BE përmes SIGMA-s na ka klasifikuar vendin e parë në rajon për menaxhimin e financave, nuk mund të jetë vendi I parë në rajon për menaxhimin e financave publike një vend hajdutësh. Nuk mund të jetë vendi i parë për integritetin e prokurimeve publike, dhe patjetër që ne kemi dhënë një provë shumë të fortë me Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat të gjitha së bashku përbëjnë bazën e rritjes dhe fuqizimit ekonomik dhe financiar të Shqipërisë dhe krijimit të mundësive të reja për të rritur pagat”, cilësoi Rama.

Kreu i ekzekutivit, theksoi se “drejt Shqipërisë 2030 duhen bërë hapa të mëdhenj dhe konkret në çdo sektor jetik për vendin”.

“Shqipëria nuk është më vendi që të shikonin me dyshim të madh se mos nuk je në rregull kur thoshim hajde investo në Shqipëri.

Ne do ta ndajmë me publikun edhe këtë pjesë, të objektivave që kemi për pagat, pensionet, për investimet, për të gjitha fushat, strehimin, për çiftet e reja, për biznesin, edhe pak durim dhe do t’ju tregojmë saktësisht të gjitha ato që kemi. Jo se nuk di sot të përgjigjem, por nuk dua të prish atë planin që kemi bërë për si do të dalim fillimisht me pasqyrën e përgjithshme, dhe pastaj me programin dhe planin e bazuar në objektiva konkretë.

Nëse sot, ne kemi sipas INSTAT, jo sipas meje, një pagë mesatare 830 euro, që do të thotë paga në sektorin publik me sektor privat, kjo e vetme është një shifër kuptimplotë për pozicionin ku ndodhemi. Arritëm këtu, tani mund të shkojmë shumë më tutje”, pohoi Rama.

“Ishim në Greqi dhe me kolegë të tjerë kur i kemi ballafaquar pagat këtu me pagat atje për të njëjtët sektorë pune, nuk themi që i kemi pagat konkurruese me Greqinë, por do t’i kemi. Pagat e mësuesve, punonjëse të administratës, mjekëve, ushtarakëve, të punonjësve të policisë do të rriten më tutje dhe për një arsye tjetër: sepse krijohen dy reagime. Një reagim është po pse pagat dhe jo pensionet? Po pse vetëm ata që punojnë në shtet? Kur shteti rrit pagat, sektori privat ndjek mbrapa. Ne kemi arritur që për nivele të caktuara të jemi konkurrues me bankat dhe ne kemi nevojë për njerëz shumë të përgatitur, sidomos për shkak të negociatave, e dyta çdo pagë që rritet është një lajm i mirë edhe për perspektivën e pensioneve sepse rriten të ardhurat nga sigurimet dhe kur shteti bëhet nxitës për pagat e privatit merr edhe nga pagat e privatit dhe shton në Fondin e Sigurimeve dhe sot e kemi shumë më solid seç e kishim”, tha Kryeministri.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›