Rama: Rritje e ndërveprimit shkollë – prindër, raporte të individualizuara për çdo fëmijë

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u përqendrua edhe tek mënyrat se si mund të përmirësohet ndërveprimi mes shkollës, prindërve dhe institucioneve për të siguruar një zhvillim të shëndetshëm dhe të balancuar për fëmijët.
“Unë besoj se mbase nuk kemi forcat që të përballemi me këtë universin paralel ku fëmijët tanë jetojnë një pjesë shumë të madhe të kohës së tyre ku ne e kemi të pamundur që të penetrojmë, por nga ana tjetër ne nuk duhet të dorëzohemi, e vetmja rrugë është që të ngremë në një nivel tjetër ndërveprimi mes shkollës prindërve dhe institucioneve”, tha Rama.
“Ne do të bëjmë çmos nga ana jonë që shkolla të rrisë në mënyrë të ndjeshme fluksin e informacionit për prindërit, jo më vetëm notat dhe mungesat por edhe raporte të dedikuara dhe individualizuara për çdo fëmijë”, nënvizoi Rama.
Kryeministri gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e zgjerimit të mundësive për fëmijët pas shkollës, duke ofruar aktivitete jashtë mësimit.
“Do të bëjmë çmos të zgjerojmë shumë më tepër hapësirën që kemi krijuar, por duhet zgjeruar gjithçka që mund tu ofrojmë nxënësve, fëmijëve pas mësimit duke fuqizuar programet sportit e artit, zejeve dhe duke rritur numrin e adresave ku fëmijët mund të kenë aktivitet sepse një gjë është t’i kenë vetëm në shkollë dhe gjë tjetër të kenë hapësira të përbashkëta”, tha Rama.
“Jo më larg se dje vizitova qendrën kombëtare të fëmijëve që po merr formë të njësia 5, është një ngrehinë e jashtëzakonshme me hapësira dhe mundësi që nuk i kemi pasur ndonjëherë për fëmijët këtu. Qendra Kombëtare që ne po ndërtojmë është disa herë më masive me shumë më tepër hapësira dhe aty do të na duhet të ndërtojmë një program intensiv dhe të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës dhe Arsimit. Këtë do ta shtrijmë patjetër edhe në qendra të tjera të qarqeve sepse aty ku jeta urbane është më intensive aty është edhe zemra e problematikave”, theksoi Rama.
Rama nënvizoi se përballja me këto sfida kërkon mësues të motivuar dhe të mirëpërgatitur, jo vetëm në aspektin akademik, por gjithashtu në aspektin psikologjik dhe emocional.
“Sigurisht që kjo kërkon pa diskutim mësues të motivuar, mësues të mirë përgatitur, jo vetëm nga pikëpamja akademike për lëndën që japin, por mbi të gjitha nga pikëpamja psikologjike dhe pikëpamja e fuqisë fiziko-morale për të përballuar gjithë atë armatën e atyre kalamajve, që kur vijnë dhe afrohen e bëhen bashkë, nuk janë më një grup i madh fëmijësh, por janë një armatë që kanë në kokë gjëra që na tejkalojnë ne me herë në disa aspekte, edhe që janë armatë që na shohin ne si një forcë, si një forcë kundërshtare, kjo është e vërteta”, tha Rama.
“Kjo është e vërteta, vijnë edhe shohin edhe gjithë ajo që ka qenë zhvilluar më parë si një konflikt natyral mes brezash, ku maksimumi i revoltës që mund të bënte një nxënës ishte të fliste pa leje në një moment të caktuar, sot është kthyer në një konflikt të strukturuar midis gjithë trupës së edukatorëve që përpiqen të edukojnë, edhe asaj armatës që mblidhet te oborri i shkollës dhe nuk kuptohet mirë se ça kanë në mend”, tha Rama.
“Megjithatë na takon ne që të gjejmë rrugët dhe të gjejmë mënyrat për të garantuar një bashkëjetesë paqësore me atë armatë, edhe për të garantuar që, kur kalon ajo mosha kritike, ata të jenë të gatshëm ta përballojnë jetën në universin e realitetit dhe jo të ndjehen komplet të goditur për faktin se universet nuk përputhen më, e pastaj të përfundojnë nëpër drama personale, por të bëhen dhe aktorë tragjedish sociale. Thënë kjo, patjetër që ne jemi relativisht të kënaqur që është bërë shumë për mësuesit”, u shpreh Rama.
/a.f/