E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Janë ndërtuar 450 shkolla, po ndërtohen 40 të reja

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, janë 40 shkolla të reja që po ndërtohen, teksa janë ndërtuar 450 shkolla.

Në fjalën e tij në një takim në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, Rama foli edhe për infrastrukturën shkollore.

Rama shtoi se, pjesa tjetër e përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve në shkolla prapë është diçka që shkon në favor të rritjes së dëshirës për të shkuar në punë dhe për të punuar.

Rama solli sot shembullin e kantierit të shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër, ku ishte para pak ditësh.

“Nuk i besoja dot syve as hundës që më sillte atë aromën e shkollave që dikur vinin vetëm era lagështi. Ngrohjen pastaj harroje. Një tmerr, një tmerr. Një shkollë që nuk ishte vënë dorë besoj që ditën që ishte ndërtuar kushedi se kur”, tha Rama.

“Ka akoma realitete të tilla, por nga ana tjetër në Tiranë unë besoj që ne mund të jemi shumë krenarë për faktin se nuk kemi shkolla si në Evropë, por kemi shkolla si shkollat më të mira në Evropë”.

“Mund ta them këtë me plot gojën. Unë kam jetuar disa vite në Paris dhe kishim afër një shkollë 9-vjeçare ku kishte një palestër komunitare dhe shkoja ndonjëherë të lozja basketboll ishte normal por nuk ishte kështu si kjo, që të jemi të qartë. Nuk ishte si shumë shkolla në Tiranë që janë si kjo, ose pak më të mira ose dhe pak më pak, por që është një standard absolutisht shumë i mirë, që patjetër është standardi që duam të mbajmë edhe në shkollat e reja që po ndërtojmë”, tha Kryeministri.

Rama u shpreh se, janë 40 shkolla të reja që po ndërtojmë. Janë ndërtuar 450 shkolla.

“Është një numër shumë i madh po të marrësh parasysh se çfarë ka pasur më përpara”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se çështja e tullave është e rëndësishme, por shumë e rëndësishme është edhe çështja se çfarë kemi brenda në shkollë.

“Me laboratorët inteligjentë që tanimë janë shtrirë në një pjesë, jo të vogël të shkollave, por që deri në fund të kësaj dekade do të jenë në të gjithë shkollat e republikës edhe do të kenë akses në teknologji të gjithë fëmijët e Republikës, do të plotësohet ky cikël”, tha Rama.

Sidoqoftë, shtoi kryeministri, “deri pak a shumë 300 laboratorë janë një bazë shumë, shumë  e mirë për çfarë po ndërtojmë sot për fëmijët edhe aksesi në kodim dhe kështu me radhë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›