E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Mësuesit sot kanë më shumë liri dhe garanci

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se janë bërë përmirësime të ndjeshme për mësuesit në aspektin e lirisë dhe garancisë që ata kanë në punë.

Rama u shpreh i kënaqur për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur, duke e krahasuar me qeverisjen e Partisë Demokratike. Rama tha se deri para disa viteve mësuesit ishin të detyruar të merrnin pjesë në mitingje.

“Jemi të kënaqur së është bërë shumë për mësuesit. Rastësisht pashë një ditë që një grup mësuesish ishin mbledhur me forca të tjera politike dhe lirisht flisnin për atë që mendonin për qeverinë, për shtetin, për institucionet dhe unë u ndjeva shumë mirë se askush nuk merret me ata mësues se pse vajtën, pse folën, pse thanë, pse nuk thanë, ça thanë, gjë që deri jo shumë vite më parë ka qenë pjesë e realitetit të mësuesve”, tha Rama.

Rama po ashtu tha se mësuesit nuk kishin asnjë garanci për vendin e punës.

“Jo shumë vite më parë kur kalonte këtu ndonjë karvan mitingu mësuesit merreshin madje bashkë me nxënësit në qytete të caktuar dhe mblidheshin për të brohoritur. Apo gjëja më tmerrshme mësuesit nuk kishin garanci për vendin e punës pasi të nesërmen mund të gdhiheshin me një copë letër që duhet të shkojnë dikur tjetër apo mësuesit që dëgjonin dhe merrnin vesh lëndën e tyre, në një shkollë pranë e jepte dikush që nuk kishte mbaruar fare për atë lëndë. Ishin rreth 4 500 mësues jashtë profilit komplet”, tha Rama.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›