Rama: Rruga Burrel-Milot do ndërtohet, projekt edhe për Karavastanë

TIRANË, 18 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te investimet në infrastrukturën rrugore, ndërsa theksoi se të gjitha rrugët e fshatrave tashmë janë të lidhura me standardet e duhura.
Duke iu përgjigjur një komentuesi në rrjetet sociale mbi ndërtimin e rrugës Burrel-Milot, Rama tha se edhe ky aks do të ndërtohet.
“Patjetër do të ndërtohet. A ishte premtuar denbabaden, a ju kishte ardhur bufi i kënetës atje dhe sa herë vinte ju shihet një herë në 4 vjet kur i duheshin votat që i keni dhënë pafundësisht dhe keni marrë veten më qafë. A ju thoshte do ju bëj rrugën e Arbrit? Kush e bëri?”, iu drejtua Rama komentuesit.
Kryeministri siguroi se edhe aksi Burrel-Milot do të ndërtohet por me radhë.
“Nuk jemi Gjermania që edhe ajo sot ka problemin kryesor infrastrukturën sepse i ka bërë rrugët kur ne nuk kishim lindur akoma dhe tani duhet t’i rikthehet. Pyesni sa shkon një projekt infrastrukture në një vend të BE-së”, tha Rama.
I pyetur nga një tjetër komentues nëse ka ndonjë projekt për Karavastanë, Rama siguroi se ka një projekt të jashtëzakonshëm edhe për atë zonë.
“Isha në Divjakë dje në rrugën që po bëhej në fshatin Rremas dhe kryetari i bashkisë tha se kjo është rruga e parafundit rurale e Divjakës. Domethënë që të gjitha rrugët e fshatrave janë tanimë të lidhura me standardet e një rruge fshati”, tha ai.
/a.f/