Rama: Saliu e Iliri të tërhiqen nga veprimet antiligjore në Fier e Gjirokastër, ndryshe marrëveshja prishet
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka thënë se Saliu dhe Iliri duhet të tërhiqen nga veprimet e tyre antiligjore dhe antikushtetuese në Fier dhe Gjirokastër. Ndryshe, ka thënë Rama, opozita do të rishikojë marrëveshjet e arritura pak ditë më parë me mazhorancën dhe do të tërhiqet.
Në solidaritet të plotë me zgjedhësit tanë në Fier e në Gjirokastër dhe plotësisht i vetëdijshëm për peshën e veçantë morale e politike të deputetëve opozitarë të këtyre dy qarqeve, po edhe për kërcënimin alarmant të procesit të normalizimit të bashkëjetesës politike si shkak i orvatjes për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në Këshillat e Qarqeve Fier e Gjirokastër, përsëris apelin tim për Saliun e për Ilir Metën: Tërhiquni nga veprimet antikushtetuese e antiligjore në këto dy qarqe.
Përsëris po ashtu apelin tonë për trojkën e ambasadorëve që kanë bërë shumë për të ndihmuar normalizimin e procesit dhe smund të mos bëjnë atë që lypset, për të mos lejuar një tjetër grabitje zgjedhjesh mu nën hundën e komunitetit ndërkombëtar. Kjo do të ishte një tjetër goditje e rëndë për kushtetutshmërinë e rendin ligjor në këtë vend dhe pa asnjë dyshim, një shtysë e re për tu tërhequr nga rruga e përpjekjeve tona për konsensuse me një pushtet që me kartonat bën ligje dhe me dhunë e korrupsion i bën ligjet karton. Integrimi europian sështë farsë ligjvënieje, po vullnet ligjzbatues dhe nëse ky vullnet mungon e mungon përsëri, opozita smund të gënjejë as popullin as vetveten për tu rigjendur e rivjedhur përsëri e përsëri në votat e saj.
Duke mos i hequr asnjë presje deklaratës së sotme në Kuvend të kryetarit të grupit parlamentar socialist, rikonfirmoj në emër të opozitës vullnetin për të respektuar çdo gërmë të marrëveshjes për tre çështjet e dakordësuara me palën tjetër, por rinënvizoj shqetësimin se asnjë hap sdo mund të bëhet më tutje për ligjet me 3/5-at nëse ligji do vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet tona për qarqet Fier e Gjirokastër, ka thënë Rama nëpërmjet një deklarate për shtyp.