E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Saninos: Të shqetësuar për funksionimin e shtetit ligjor

TIRANË-Në orët e pasdites së sotme, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino është takuar në selinë rozë me liderin opozitar Edi Rama i cili ka shprehur angazhimin e plotë të Partisë Socialiste për përmbushjen e reformave të domosdoshme për procesin e Integrimit Europian.

Gjatë takimit me Saninon, Kryetari i PS ngriti shqetësimin për funksionimin e shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit, si dhe gjendjen e demokracisë në vend. Ai theksoi se PS i ka qëndruar angazhimit të saj për ligjet me 3/5, zgjidhjen e titullarëve të institucioneve të pavarura dhe do të jetë e angazhuar dhe në të ardhmen për reformën parlamentare dhe elektorale.

Nga ana e tij, Sannino shprehu kënaqësinë për kontributin e Partisë Socialiste për progresin e arritur muajt e fundit dhe reformat e ndërmarra, duke vënë në dukje që kjo i shërben krijimit të klimës së besimit për bashkëpunimin në të ardhmen në të mirë të ecurisë të procesit të integrimit.

Duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit, Kryetari i PS dhe Drejtori i Zgjerimit shkëmbyen mendime për domosdoshmërinë e projekteve konkrete në nxitje të këtij bashkëpunimi, sidomos për problemet e përbashkëta të vendeve tona.

Në këtë takim ishin të pranishëm dhe deputeti Ditmir Bushati, Kryetar i Komisionit të Integrimit, Ettore Sequi, Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe z. Vassilis Maragos, Shef i Sektorit të Shqipërisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›