E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ribotohet romani “Gjarpinjtë e gjakut”, vlerësohet Adem Demaçi

PRISHTINË-Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka marrë pjesë sot në ribotimin e tetë të romanit “Gjarpinjtë e gjakut”, të Adem Demaçit, ku ka mbajtur një fjalë rasti dhe në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës ka shprehë admirimin për veprën jetësore të autorit.

“Besoj që emri i Adem Demaçit si shkrimtar dallon prej shumë shkrimtarëve tjerë në botë dhe do të them që është unikat në gjithë Evropën. Përmes veprës së tij nuk e ka tejkaluar kurrë vetën, po përmes emrit të tij personal dhe origjinalitetit të tij, ka kaluar çdo vepër që lidhë me interesat kombëtare të cilitdo popull në botë. Në këtë drejtim, emri i Bacës Adem, mbi gjysmë shekulli mbetet unifikim për qytetarin e Republikës së Kosovës, për popullin shqiptar, por mbi të gjitha simbol i rezistencës”, tha Kuçi.

Ai më tutje shtoi se Adem Demaçi me anë të veprës “Gjarpërinjtë e gjakut” ka tentuar të mbyll një plagë të shoqërisë tonë, gjakmarrjen, ku ka qenë frymëzim edhe në kohen e pajtimeve të gjaqeve dhe theksoi idenë që kjo vepër të bëhet në formë të dramës apo të filmit, për çka qeveria e Kosovës do të jepte gjithë maksimumin e saj.

Zv/kryeministri Kuçi tha se të gjithë njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, me punën e tij dhe me veprën e tij, andaj neve na duhet shumë ky simbol i rezistencës, na duhet ky simbol i unifikimit dhe duhet ta ruajmë, sikur ai që e ka ruajtur kombin shqiptar mbi pesë dekada.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›