Rama: “Seanca parlamentare ishte e turpshme, Berisha tregoi se ka manipuluar zgjedhjet”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka cilësuar seancën maratonë të një nate më parë të turpshme dhe që nuk solli asnjë zgjidhje. Ai e akuzoi kryeministrin Berisha si përgjegjës të krizës politike në vend, të korrupsionit, të manipulimit të zgjedhjeve të kaluara dhe të përgatitjes për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. Rama tha se Berisha, gjatë fjalimit të tij, nuk ofroi asnjë zgjidhje; përkundrazi, me fjalimin e tij, “kryeministri tregoi se është kthyer në të sëmurin e pashërueshëm e që ka sëmurur Shqipërinë me virusin e gënjeshtrës, shpifjes, fyerjes dhe përbuzjes ndaj vlerave të qytetërimit europian e demokratik”.
Qëndrimi
Gjatë fjalës së tij Rama tha se kryeministri nuk tha asnjë për pensionistët në prag të Krishtlindjeve, nuk tha asnjë fjalë të mirë as për arsimtarët dhe as për mjekët. Sipas Ramës, qëllimi i Berishës është vetëm pasurimi i tij personal dhe shkatërrimi i çdo sektori të jetës. “Kur e dëgjoja dhe shihja mbrëmë Saliun të sillej dhe të fliste si një mendjehumbur e gojëpërdalë i pashpresë, ndieja pezmatimin e pangushëllueshëm të qindra mijëra pensionistëve që për herë të parë, pas kushedi sa vjetësh, s’do të marrin asnjë shpërblim për Vitin e Ri dhe në prag të Krishtlindjeve u torturuan me orë të tëra para ekranit duke dëgjuar e parë një kryeministër që për asnjë çast të vetëm nuk u kujdes t’u thotë qoftë edhe një fjalë të mirë. Dëgjoja dhe shihja Saliun dhe ndieja hutimin e gjatë të mijëra e mijëra familjeve të përmbytura që mbrëmë, përpara ekranit, panë se si kryeministri jo vetëm nuk bëri asgjë, nuk ndryshoi asgjë, nuk shtoi asgjë në buxhet për ta, por në prag të Krishtlindjeve u tregoi se s’ka ndër mend t’i ndalë përmbytjet”, - është shprehur Rama. Sipas tij, Berisha ka shkatërruar dinjitetin e arsimtarëve dhe aspiratat e tyre për shkak të politizimit e shkatërrimit barbar të sistemin arsimor. “Por, në orë të tëra pisllëku gojor në prag të Krishtlindjeve, një fjalë të mirë s’e tha kryeministri për të nesërmen e një shërbimi shëndetësor të falimentuar prej korrupsionit të qeverisë së tij. S’tha Saliu mbrëmë as një fjalë të mirë në prag Krishtlindjesh për pronarët e as për të përndjekurit, sepse sa për veteranët e luftës, ata s’presin gjë prej kryeministrit, e neveritin krijesën e tij qysh prej kohës kur u hodh nga varka e Bllokut të udhëheqjes komuniste për t’u shfaqur si notar i demokracisë”, - është shprehur Rama. Më tej kryesocialisti e akuzoi kryeministrin se ka qenë mjek i diktatorit Hoxha. “Në prag të Krishtlindjeve të vitit 2010, 20 vjet pas rënies së regjimit gjakatar të Enver Hoxhës, Shqipëria meritonte të kishte në drejtim shumë më tepër sesa mjekun e dikurshëm të Bllokut të Enverit, kryeministrin që sot është kthyer në të sëmurin e pashërueshëm e që ka sëmurur Shqipërinë me virusin e gënjeshtrës, shpifjes, fyerjes dhe përbuzjes ndaj vlerave të qytetërimit europian e demokratik”, - është shprehur Rama. Sipas tij, kreu i qeverisë, në seancën maratonë nuk bëri gjë tjetër veçse mbajti zvarrë me orë të tëra popullin e tij me një moçal shpifjesh. “Në cilin vend të Europës a të botës demokratike do të mund të parafytyrohej një parlament si ai i mbrëmshmi, ku kryeministri merr zvarrë me orë popullin e tij në një moçal pisllëqesh e halucinacionesh të neveritshme, duke kërcitur dhëmbët me inat e pastaj duke u zgërdhirë pa as më të voglën ndjenjë turpi e përpjekje që të ruajë minimumin etik teksa flet e flet pa pushim pa thënë dot asgjë të mirë, të ndritur, të dobishme për njerëzit e vendit të vet? Të cilët po i mbyt me ujërat e zeza të keqqeverisjes e të komunikimit të tij mizerabël”, - është shprehur Rama. Lideri i opozitës përfundoi duke shprehur bindjen se populli, kur sheh shfaqje të tilla të kryeministrit, është më i vendosur se kurrë për ta parë Shqipërinë në dorën e PS-së. “U shpreh respektin e solidaritetin tim të gjithë atyre shqiptarëve, kudo, që mbrëmë u trazuan shpirtërisht nga i pari i qeverisë dhe i siguroj se një mundësi e re, një rrugë e re, një Shqipëri e re jo vetëm është e mundshme, por është më shumë se kurrë në dorën tonë dhe më afër sesa mund të duket se kur sheh shfaqje si ajo e mbrëmshmja”, - përfundoi Rama.
BOX
PD-PS, dështojnë negociatat për komisionin hetimor, shansi i fundit, ditën e hënë
Socialistët dhe demokratët nuk kanë arritur të miratojnë ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit gjatë seancës maratonë që ka zgjatur deri në orën 5:30 të mëngjesit të ditës së djeshme. Pas negociatave të gjata mes palëve u ra dakord që Kuvendi të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme ditën e hënë për të diskutuar sërish për kërkesën e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor. Deri të hënën në seancë është vendosur që përfaqësues të të dyja partive politike të vazhdojnë negociatat për arritjen e një kompromisi. Gjatë debatit në seancën e së enjtes palët nuk ranë dakord me kërkesën e PS-së pasi, sipas demokratëve, hetimi i zgjedhjeve, i kërkuar nga PS-ja, ishte i bazuar vetëm në dyshime dhe jo në prova. Edhe pas negociatave socialistët nuk e kanë pranuar propozimin e Berishës që të shtohej një pikë që hetimi të ishte në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën. “Në qoftë se pranoni të votoj bashkërisht atë vendim që është votuar një herë nga krahu yt, unë ju garantoj që tani që shumica do të ndërtohet ashtu siç doni ju. Varianti i dytë është ky: zoti Xhafa shtroi 3 pika. Jam plotësisht dakord për të tria. Unë shtova vetëm një pikë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Kodi Zgjedhor, dhe në këtë rast shumicën do ta ndërtoni ju, do të përcaktoni ju si do të ndërtohet”, - tha Berisha. “Ne kërkojmë hetimin e materialeve zgjedhore, si dhe çdo problem tjetër të lidhur me zgjedhjet, përveç çështjeve për të cilat ka vendime gjykate. Ne kërkojmë vetëm një garanci, që KQZ-ja, në zbatim të këtij vendimi, të vërë në dispozicion materialet zgjedhore”, - tha Ruçi.
Haxhinasto: “Po rinegociojmë marrëveshjen për ujërat me Greqinë”
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ka bërë të ditur dje se Shqipëria dhe Greqia po rinegociojnë marrëveshjen detare të ujërave. Madje ai bëri të ditur se në marrëveshjen e re nuk do të shmanget institucioni i Presidentit të Republikës, siç u bë në marrëveshjen e parë. Haxhinasto deklaroi se në këtë marrëveshje do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, madje, sipas tij, do të jetë pikë reference e marrëveshjes së re që po diskutohet mes Shqipërisë e Greqisë. “Me palën greke kemi diskutuar të gjithë hapësirën dhe mundësitë e avancimit për ta konkluduar këtë marrëveshje. Në asnjë mënyrë nuk do të shmanget asnjë institucion, aq më tepër Presidenti i Republikës. Vendimi i Gjykatës është pika jonë e referencës, ashtu si dhe Kushtetuta e Shqipërisë, për të vazhduar më tej në konkludimin e kësaj marrëveshjeje”, - tha Haxhinasto. Ministri i Jashtëm ka komentuar edhe incidentin e djegies së flamurit shqiptar nga tifozët maqedonas gjatë një ndeshjeje basketbolli. Edhe pse e quajti një akt të papranueshëm, të organizuar nga persona të papërgjegjshëm, Haxhinasto tha se ky incident nuk i cenon marrëdhëniet mes dy shteteve. “Sigurisht, këta nuk përfaqësojnë ndjenjën qytetare të maqedonasve dhe me provokimet e tyre nuk mund të ndikojnë aspak në marrëdhëniet shumë të mira që Republika e Shqipërisë ka me Maqedoninë. Sigurisht, janë ngjarje të dënueshme, të cilat nuk duhet të ndodhin”, - theksoi më tej Haxhinasto.
Gjatë ditës së djeshme, ministri i Jashtëm ka shtruar një pritje me rastin e festave të fundvitit, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Trupit Diplomatik, përfaqësues të medias, të biznesit etj. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet kryediplomati shqiptar deklaroi se shqiptarët sot janë më të vlerësuar se asnjëherë dhe me një imazh të ndjeshëm të përmirësuar në sytë e ndërkombëtarëve. Kjo për një motiv kryesor: tashmë ata lëvizin pa viza. “Integrimi i mëtejshëm dhe real i Shqipërisë në BE shtron përballë nesh një sfidë të madhe, konkurrimin dhe prezantimin e vlerave më të spikatura që përfaqësojmë si komb. Kjo është sfida e madhe e Shqipërisë. Kjo është sfida e të gjithë shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë dhe të atyre që jetojnë jashtë saj. Unë kam besim të plotë se, në përpjekjet e saj, diplomacia shqiptare do te krijojë të gjithë energjitë e duhura me të gjithë ju, me komunitetin e medias, me përfaqësuesit e biznesit, ekonomisë dhe, të gjithë së bashku, mund të ngremë një imazh të ri të Shqipërisë, imazhin e saj të vërtetë dhe real”, - është shprehur Haxhinasto.
25 Dhjetor 2010