Krishtlindjet sjellin rritjen e çmimeve, darkë e vështirë për shqiptarët
Ervin KOÇI
Krishtlindjet erdhën edhe këtë me rritje të çmimeve, por ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë herë fuqia blerëse është më e vogël. Në këto ditë të gjitha tregjet, kryesisht ato ushqimore në kryeqytet i kanë ndryshuar shpesh tabelat e çmimeve për produktet e ndryshme. Këtë fundjavë çmimet kryesisht për artikujt ushqimor, e sidomos frutat dhe perimet kanë njohur edhe rritjen më të madhe për një pjesë të artikujve. Afrimi i festave ndryshe nga shumë vende të botës, në Shqipëri vjen me rritje të ndjeshme të çmimeve sidomos të produkteve ushqimore. Në shtetet evropiane, festat vijnë bashkë me ulje çmimesh, ndërsa në vendin tonë festimet vijnë bashkë me pamundësinë për t’i festuar ato siç duhet. Si çdo vit, në prag të festave të fundvitit, luhatja e çmimeve të produkteve të konsumit ushqimor është e paevitueshme. Çmimet e fruta-perimeve dhe produkteve të tjera ushqimore, kanë pësuar rritje ditët e fundit, dhe kjo me daljen nga tregu i prodhimit vendas dhe zëvendësimit me produktet e importit. Disa nga artikujt si fruta-perimet, kanë pësuar një rritje me 50 lekë. Për konsumatorët blerja e këtyre prodhimeve gjatë këtij sezoni po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Shpenzimet
Më shumë dëshirë për të festuar, por me mundësi të pakta, shqiptarët presin Krishtlindjet edhe këtë vit. Ndërsa ankohen se çmimet janë shumë të larta, thonë se nuk do të heqin dorë nga një tryezë e mbushur me gatime tipike për këtë ditë. “Çmimet po ndryshojnë dita ditës në mënyrë të çuditshme. Disa produkte që kanë qenë të lira janë rritur papritur”,- shprehet një blerëse. “Shpenzimet kanë shkuar shumë. Vij në treg sepse këtu çmimet janë më të lira”,- shton një tjetër. Nga krahu tjetër tregtarët thonë se çmimet janë tepër të arsyeshme për këtë periudhë. Por ata thonë se edhe pse çmimet janë të ulëta, fuqia blerëse është e dobët. Por përtej çmimeve apo nivelit të pagesave, duket se këto festa nuk do të kalojnë pa shkëmbime dhuratash. “Do shpenzojmë sa kemi mundësi. Do bëjmë ndonjë dhuratë të vogël nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë”,- thotë një grua. Tregtarët e dyqaneve të veshjeve apo aksesorëve thonë se këtë vit kanë qenë të pakta blerjet për dhurata.
BOX///////////////////////////////////////
Krishtlindjet në botë, shpenzime në shifra rekord nga konsumatorët
Ndryshe nga vitet e tjera, Greqia ortodokse e ka pasqyruar krizën ekonomike edhe në shpenzimet për festat e fundvit. Por shpenzime në shifra rekord nga konsumatorët anembanë botës janë bërë me rastin e Krishtlindjeve. Britania, Shtetet e Bashkuara, Europa, si dhe Kina, regjistrojnë shifra të mëdha të parave të shpenzuara në këtë vigjilje.
Ndryshe nga vitet e tjera, Greqia ka pasqyruar krizën ekonomike edhe në këtë festë shumë të rëndësishme për besimtarët ortodoksë grekë. Visa-Card parashikohet që të realizojë 38 milionë transaksione për ditën e Krishtlindjeve, ndërsa shuma e parave të shpenzuara pritet që të kapë vlerën e 2 milionë eurove. Ndërkaq, në Kinë, edhe pse vetëm 2 për qind e popullatës është e krishterë, biznesi parashikon fitime të mëdha në ditën e Krishtlindjeve.
Shkurt////////////////////////////////
“Eagle Mobile” mbyll me sukses fushatën në Shkodër
Eagle Mobile mbyll suksesshëm për 2010-ën, “Vitin e Mjedisit”, me mbjelljen e 40 pemëve të llojit rrap në zona të ndryshme qytetit të Shkodrës. Këtë herë kompania ka qenë në kryeqendrën e veriut të vendit duke kontribuar në gjelbërimin e mjedisit. Pjesa e hyrjes së qytetit, parku “Isa Boletini” dhe lagja “Mehmet Pashë Plaku”, që është dhe një nga zonat më të prekura nga përmbytjet, ishin ato kryesoret ku u bënë mbjelljet. Pemët e rrapit u mbollën në kuadër të gjelbërimit dhe dekorimin të këtij qyteti, në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me Bashkinë e Shkodrës. Drejtues të Bashkisë Shkodër vlerësuan ndihmën e Eagle Mobile, aq më shumë në këto ditë të vështira për zonat e qytetit. Kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, tha se kjo është një ndihmesë e madhe sidomos për zonën e prekur nga përmbytja. Duke vlerësuar shembullin e përgjegjësisë sociale të kompanisë, u bëri thirrje dhe kompanive të tjera të kontribuojnë në këtë aspekt. Kjo nismë për natyrën është përgëzuar dhe ka gjetur mbështetje edhe nga qytetarët Shkodranë. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Ali Taskin ka nënvizuar se ky kontribut është një vazhdimësi e projektit tashmë të njohur “Një me Natyrën” që ka për qëllim sensibilizimin e qytetarëve dhe të të gjithë atyre që kanë mundësinë të kontribuojnë sadopak për mjedisin. “Më parë kemi qenë në Shkodër për të kontribuar në lehtësimin e situatës dhe ndihmën e banorëve të Nën-Shkodrës gjatë periudhës së përmbytjeve të Janarit në fillim të vitit. Ndërsa tani kemi menduar që të bëjmë diçka në këtë drejtim në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës”. Eagle ofroi së fundi komunikim falas për pjesëtarët e skuadrave të shpëtimit për lehtësi komunikimi, ndërkohë që fushata për kontributin qytetar në zonat e prekura nëpërmjet SMS-ve ende vazhdon. Çdo qytetar mund të japë ndihmesën personale duke dërguar në 56056 SMS që kushton 50 lekë (pa TVSH). Eagle Mobile këtë vit ka pasur prioritet të projekteve sociale nismën “Një me Natyrën”. Në këtë projekt janë përfshirë pastrime të mjedisit nga nxënës të shkollave të mesme në Durrës, Lezhë, Vlorë, Tiranë, Kamëz dhe Kukës, ndërkohë që janë bërë mbjellje pemësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, janë ndërtuar parqe lojërash si dhe janë rehabilituar zona urbane.
25 Dhjetor 2010