E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Mjaft-it: “Partitë nuk i kanë mbajtur premtimet elektorale”



Eljona Ballhysa
Lëvizja “Mjaft” ka bërë publike dje rezultatet e raportit “Unë votoj”, sipas të cilit rezulton se partitë politike nuk kanë mbajtur premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Sipas raportit në fjalë, Partia Demokratike, që është në pushtet, ka realizuar vetëm 9.8% të premtimeve elektorale. Në raport paraqiten të dhëna për mënyrën e funksionimit të Kuvendit gjatë periudhës shtator 2009 - korrik 2010. Sipas të dhënave, deputetët e shkelin rregullisht Rregulloren e Kuvendit, duke votuar për kolegun, duke thyer etikën e të shprehurit dhe duke përdorur telefonat celularë gjatë punimeve të seancës parlamentare. Raporti publikon edhe listat e deputetëve më të pranishëm dhe të atyre që nuk kanë qenë fare të pranishëm në asnjë prej 143 seancat plenare të monitoruara. Në këtë raport publikohen edhe të dhënat e pasurisë së deputetëve, ku deputeti më i pasur, me një distancë të madhe nga i dyti, rezulton të jetë deputeti Tom Doshi, me rreth 3 miliardë lekë.
Premtimet
Një nga problemet e vërejtura gjatë dy sesioneve të para parlamentare në punën e Kuvendit të Shqipërisë lidhet me nivelin e ulët të mbajtjes së premtimeve elektorale nga ana e partive parlamentare. Sipas raportit, Partia Demokratike, me anë të Grupit të saj Parlamentar, ka arritur t’u përmbahet premtimeve dhe angazhimeve të saja elektorale në masën e vetëm 9.8 përqindëve. “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka bërë asgjë për realizimin e një sërë premtimesh në sektorin e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë, ku madje, në kundërshtim të plotë me angazhimin elektoral për rritjen e buxhetit alokuar këtyre tre sektorëve, në vitin 2010, me propozim të Ministrisë së Financave dhe aprovim të deputetëve të kësaj partie, që përbëjnë së bashku me aleatët e LSI-së dhe PDU-së maxhorancën parlamentare, u miratua shkurtimi i fondeve për këto sektor”, - shkruhet në raport. Sa i takon aleates më të madhe të Partisë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, ajo ka arritur të realizojë, përmes veprimtarisë parlamentare të deputetëve të saj, vetëm 7.7% të premtimeve elektorale, duke miratuar 11 nga 143 nisma ligjore të diskutuara dhe më pas miratuara në Kuvendin e Shqipërisë. Së fundi, Partia Socialiste ka treguar një performancë të ulët në realizimin e premtimeve elektorale. Kjo për shkak të vendimit partiak për bojkotimin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Në këto kushte, Grupi Parlamentar socialist ka mundur të qasë me ligjet, për të cilat ka shprehur qëndrimin e tij, vetëm 1.4% të premtimeve elektorale.
Rregullorja
Mjaft shqetësuese edhe gjatë kësaj periudhe raportimi shfaqet respektimi i Rregullores s Kuvendit. Gjatë dy sesioneve parlamentare, rezulton të jenë miratuar në kushtet e dhunimit të nenit 57 mbi votimin në seancat parlamentare, 16 nisma ligjore, të cilat së pari, duhet të ishin shpallur të pavlefshme. Lëvizja Mjaft në këtë raport shpreh shqetësimin për sjelljen e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. “Do të donim të tërhiqnim vëmendjen e kryetares së Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, e cila, jashtë çdo parashikimi ligjor të kompetencave të saj, madje në kundërshtim me to, pozicionohet politikisht në reagimet dhe qëndrimet e mbajtura kryesisht ndaj deputetëve opozitarë. Duke penguar të drejtën e fjalës për cilindo deputet, kryetarja e Kuvendit cenon rëndë jo vetëm frymën dhe simbolin e institucionit që drejton, i cili historikisht është konsideruar tempull i fjalës dhe mendimit të lirë, por dhe vullnetin e qytetarëve, parimin e përfaqësimit dhe, mbi të gjitha, themelet e demokracisë parlamentare”, - shkruhet në raport.
Transparenca
Sipas Mjaft-it, problematike paraqitet çështja e transparencës së Kuvendit. Madje në raport shkruhet se është vërejtur shkelja e një të drejte kushtetuese e përcaktuar qartë në nenin 23 të ligjit themeltar shqiptar që i garanton mundësinë kujtdo të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive. “Por duket se këtë parim dhe të drejtë kushtetuese nuk e njeh, ose, nëse e njeh, atëherë e injoron kryetari i Komisionit të Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, z. Jemin Gjana, i cili ka penguar disa herë monitorimin e mbledhjeve të komisionit që drejton, edhe pse anëtarët e skuadrës ‘Unë Votoj’ kanë përmbushur të gjitha procedurat administrative që mundësojnë pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve si dëgjues”, - shkruhet në raport.

Rregullorja e Kuvendit shkelet rëndomë, deputetët votojnë shpesh për kolegun

Seancat plenare të zhvilluara në Kuvendin e Shqipërisë gjatë sesionit të parë dhe të dytë të Legjislaturës XVIII janë karakterizuar nga shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit. Këto shkelje variojnë nga votimi i nismave ligjore në vend të kolegut, në kalimin e nismave ligjore në mungesë të kuorumit të nevojshëm, prezencë fiktive të deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare, shkelje procedurale, shkelje të kodit etik të deputetit etj. Një nga shkeljet që është përsëritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtij sesioni ka qenë votimi i çështjeve ligjore për kolegun. Në kushtet e dhunimit të këtij neni të Rregullores së Kuvendit, nga monitorimi rezulton se gjatë dy sesioneve parlamentare janë miratuar në mënyrë të parregullt 16 nisma ligjore, të cilat nuk mund të marrin fuqi ligjore, por duhet të rikthehen përsëri për votim në Parlament.
Më pas në raport renditen disa nga rastet kur deputetët kanë votuar për kolegun. Kështu, deputeti Nasip Naço ka votuar për kolegun dy projektligje, atë “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8537, datë 18.10.1999 ‘Për barrët siguruese’”, si dhe projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”. Deputeti Kreshnik Çipi ka votuar për kolegun e papranishëm projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës për bashkëpunimin në luftën kundër krimit veçanërisht terrorizmit, trafikimet e paligjshme të drogave dhe krimit të organizuar”, projektligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, si dhe projektligji “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”. Deputetja Rajmonda Bulku ka votuar për kolegun projektligjin “Për ratifikimin e protokollit 2 shtesë”, që zëvendëson protokollin me të njëjtin numër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë. Deputetët Gerti Bogdani dhe Dashamir Tahiri kanë votuar për kolegët respektivë katër projektligje. Ndërsa deputetja Paulina Hoti ka votuar për kolegun pesë projektligje.

Dhjetë Deputetët më të pasur
1. Tom Doshi PS 3 082 004 354
2. Ndue Kola PS 959 327 777
3. Fidel Ylli PS 933 884 134
4. Sadri Abazi PS 718 852 823
5. Hazir Gashi PS 646 808 070
6. Dritan Prifti LSI 267 953 302
7. Gjovalin Kadeli PS 205 204 496
8. Dashamir Peza PS 57 350 721
9. Paulin Sterkaj PD 48 296 167
10. Ilir Meta LSI 44 382 302

Deputetët “antikonformistë”
Kjo pjesë e raportit “Unë votoj” paraqet rastet kur deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare, në mënyrë individuale ose në grupe të vogla, kanë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar apo koalicionit para dhe paszgjedhore ku bëjnë pjesë.
Partia Demokratike
Z. Sokol Olldashi ka abstenuar gjatë votimit të projektligjit “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, ndërsa pjesa tjetër e grupit parlamentar ka votuar pro këtij projektligji.
Z. Bedri Hoxha ka votuar kundër projektligjit "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës greko-italiane, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë", ndërsa grupi i tij parlamentar ka votuar pro.
Z. Lefter Maliqi ka abstenuar në votimin e projektligjit "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë", ndërsa grupi i tij parlamentar ka votuar pro.
Z. Mark Marku ka abstenuar gjatë votimit të projektligjit “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, ndërkohë që grupi i tij parlamentar e ka miratuar këtë projektligj.
Partia Republikane
Z. Fatmir Mediu ka abstenuar projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 9235, datë 29.7.2004, ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar”, ndërkohë maxhoranca e ka votuar pro këtë projektligj.
Z. Fatmir Mediu ka votuar kundër projektligjit “Për një shtesë në Ligjin Nr. 8053, datë 21.12.1995, ‘Për kalimin në pronësi pa shpërblim, të tokës bujqësore’”, ndërsa maxhoranca ka votuar pro kësaj nisme ligjore.
Z. Fatmir Mediu ka abstenuar në votimin për projektligjin “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara”, ndërsa maxhoranca e ka votuar pro këtë projektligj.
Partia për Drejtësi dhe Unitet
Z. Shpëtim Idrizi ka votuar kundër projektligjin "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë", ndërsa maxhoranca ka votuar pro këtë projektligj.
Z. Dashamir Tahiri ka votuar kundër projektligjin "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë", ndërsa maxhoranca ka votuar pro këtë projektligj.
Partia Socialiste
Z. Dashamir Peza ka abstenuar gjatë votimit të projektligjit “Për dhënien e lejes së hyrjes dhe të qëndrimit të përkohshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë të një force ushtarake turke”, ndërsa i gjithë grupi parlamentar i tij e ka përkrahur këtë projektligj.
Z. Astrit Beci ka abstenuar në votimin e projektligjit “Për disa shtesa në Ligjin Nr. 8976, datë 12.12.2002, ‘Për akcizat’, të ndryshuar”, ndërsa grupi i tij parlamentar ka votuar kundër.

25 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›