E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Shkurtimet në buxhet paralajmërojnë falimentimin e ekonomisë”



Eneida Jaçaj

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka paralajmëruar dje se ekonomia e vendit rrezikon të falimentojë. Lideri i opozitës ka reaguar një ditë pas miratimit të shkurtimeve të shpenzimeve në buxhetin e vitit 2010 nga maxhoranca. Sipas tij, shkurtimet e shpenzimeve në buxhet janë të vonuara dhe nuk do të mund të parandalojnë krizën ekonomike. Drafti për ndryshimet në buxhetin e shtetit parashikon shkurtimin e fondit të shpenzimeve me 39 miliardë lekë. Opozita mori pjesë në seancën e debatit të ditës së hënë, e cila zgjati më shumë se 10 orë, por në momentin e votimit u largua nga salla.
Deklarata
"Berisha mbulon me gënjeshtra dhe shirita gropën, ku po zhytet ekonomia e vendit. Shkurtimi i buxhetit nuk zgjidh asgjë. Të gjithë do të jeni këtu kur brenda këtij viti një tjetër shkurtim do të lypset dhe për një tjetër shkurtim qeveria do të jetë e detyruar nga kriza t'i ridrejtohet Kuvendit, sepse kriza po tërheq pas vetes qeverinë", - deklaroi Rama, duke shtuar se “opozita ka treguar qartë situatën ekonomike që nga 2009. Ju kemi paralajmëruar me kurajo dhe kthjelltësi pasojat që kanë filluar të ndihen në familje dhe biznese”, - tha Rama. Lideri i opozitës tha se kjo gjendje e rëndë ka një shkak madhor që është korrupsioni i oborrit të shtetit që ka kapur tërë shtetin. "80 milionë dollarë u shkurtuan në investimet në punë publike, që do të thotë se sipërmarrësit nuk do të paguhen për borxhet që u ka qeveria. Bankat tregtare vendase e të huaja, kot ta presin fundin e vitit se kreditë do t’u mbeten pa shlyer", - tha më tej Rama. Sipas tij, kredia 3.2 miliardë euro nuk ekziston, veçse në listën e gënjeshtrave të kësaj qeverie, të këtij kryeministri që sipas Ramës, gënjen përditë e më shumë, pasi nuk ka pse shkurtohen investimet, ndërkohë që njoftohet se janë kredituar 3.2 miliardë.
Manipulimi
Rama përsëriti akuzat për mos transparencë, manipulim dhe fshehje të shifrave të sakta në kutinë e ekonomisë, duke vendosur paralelizma me fshehjen e votave në kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama akuzon BSH-në, qeverinë dhe INSTAT-in për manipulimin e shifrave dhe paralajmëron se brenda këtij viti qeveria do të ndërmarrë një tjetër shkurtim dramatik të shpenzimeve, sepse “qeveria nuk i doli përballë krizës në kohën e duhur dhe kriza po tërheq qeverinë. Dhe kriza është shumë më e rëndë sesa na e tregojnë shifrat”. “Realiteti i kutisë së mbyllur është po ai realitet i mbyllur i 28 qershorit dhe po ai i kutisë së mbyllur që u hap në Ruzhdie. Dhe kur ky realitet do të dalë Shqipëria do të tronditet njësoj si nga manipulimi i neveritshëm i Ruzhdies dhe nga Ruzhdie të tjera”, - u shpreh Rama.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›