Shkurtimet në buxhet, Bode: “Rama, thirrje destabilizuese”
Ministri i Financave, Ridvan Bode ka reaguar pas deklaratave të kreut të PS-së, Edi Rama se ndryshimet në buxhet do të thellojnë më tepër krizën. Në një konferencë për shtyp mbajtur dje ministri Bode theksoi se, deklaratat e Ramës janë thirrje destabilizuese të pashpresa për opozitën. "Rama shtrembëron të vërtetën duke theksuar se shkurtimet në buxhet kapin shifrën prej 25 për qind, ku këto shkurtime kapin vetëm vlerën 9 për qind", - theksoi Bode, duke shtuar se të gjitha informacionet janë në dispozicion të publikut por jo me formatin dhe me të dhënat që do të donte Rama. Ai theksoi gjithashtu se, vetëm përpara një jave FMN-ja deklaroi se Shqipëria pati një rritje të madhe nga sa ky institucion kishte menduar, duke theksuar se ekonomia shqiptare vijon të mos përfshihet në krizë dhe se ajo ka pasur rritje. “Rama akuzon për mungesë transaparence dhe shifrash dhe për mungesë informacioni. Në të vërtetë të gjitha informacionet ekzistojnë, të gjitha të dhënat sasiore për 6 mujorin e parë janë në dispozicion të publikut, si nga Ministria e Financave, ashtu dhe nga INSTAT-i dhe Banka e Shqipërisë. Sigurisht, nuk janë me formatin dhe më të dhënat që do të dëshironte Edi Rama për të mallkuar dhe akuzuar ekonominë shqiptare, si një ekonomi në krizë”, - u shpreh Bode, duke shtuar se “Rama vijon t’i bjerë fyellit në vrimën e tij se ekonomia shqiptare është në krizë, ndërkohë që jo më larg se një javë më parë nga FMN-ja u deklarua se është një rritje më e madhe nga sa ne e kishim shpresuar në një kohe kur nga raporti i 6 mujorit të parë i Komisionit Europian për vendet para anëtarësimit, vendet e rajonit tonë, konfirmoi të njëjtat gjëra, se ekonomia shqiptare vazhdon të mos përfshihet në krizë, se ekonomia shqiptare ka një rritje pozitive, ndryshe nga sa po ndodh me ekonomitë e rajonit dhe më gjerë”. Bode deklaroi se pushteti vendor është i vetmi që nuk ka njohur progres që nga viti 2004 e deri më. Sipas tij, të ardhurat e pushtetit vendor nga 5.9 miliardë që janë realizuar në 6 mujorin e pare të vitit 2004 në 6.3 miliardë janë realizuar në vitin në vijim. Bode tha se ky është një progres 5 vjeçar i parëndësishëm, ku janë bërë hapa mbrapa për të mos u krahasuar me një vit më parë.
21 Korrik 2010