OSBE, Grossruck: Zgjedhjet, të ndershme
Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka marrë dje në analizë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Zëvendëspresidenti i këtij organizmi, Wolfgang Grossruck, raportoi për ecurinë e procesit, duke bërë edhe konstatimet përfundimtare. "Zgjedhje pa probleme nuk ka. Por ato të 28 qershorit në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme. Vendi i opozitës është në Parlament dhe ne shprehim keqardhjen për bojkotin e vendosur nga ana e saj", tha Grossruck. Gjatë diskutimeve kanë shprehur mendimin e tyre edhe kryetari i delegacionit të Italisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori; anëtari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Christian Miesch; si dhe Alcee Hastings, anëtar i Kongresit amerikan, bashkëkryetar i Komitetit amerikan të Helsinkit. "Konkluzioni ynë është se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë. Është për të ardhur keq që opozita nuk po merr pjesë në Parlament", u shprehën ata. Pjesë e pjekurisë demokratike, vijon qëndrimi, është edhe të pranosh rezultatin e zgjedhjeve, dhe shpresojmë që partia e opozitës të marrë sa më shpejt pjesë në Parlament. "Kjo është e vetmja rrugëdalje për të zhvilluar më tej demokracinë", tha Grossruck. Riccardo Migliori tha se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira e të drejta. Është një gabim, një deformim i demokracisë fakti që këta parlamentarë të mos ulen në Parlament. "Nuk ka asnjë vend në botë, ku zgjedhjet të mos kalojnë pa gabime të vogla. Por unë kam mbetur i habitur që zgjedhjet në Shqipëri, me sistemin e ri, u zhvilluan në rregull. Për mua, pjesa teknike e zgjedhjeve ishte krejt në rregull", tha Miesch. "Opinioni im është se Shqipëria po maturohet shpejt. Unë po pres zgjedhjet e ardhshme pas katër vitesh! Mendoj që të njëjtët individë duhet të ndalen në çështje që janë vitale për ta. Koalicioni i sotëm që drejton vendin duhet të vazhdojë të ruajë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, i cili është i fokusuar për të ndihmuar Shqipërinë që të bëhen hapa të mëtejshëm përpara", tha Hastings. Zgjedhjet në Shqipëri u vëzhguan nga një mision ndërkombëtar me përbërje të ndryshme. Në total u angazhuan 395 vëzhgues, ku 36 prej tyre ishin pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, një delegacion me 22 anëtarë ishte nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe një delegacion me 5 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s. Vëzhguesit vinin nga 38 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, ndërsa misioni ndërkombëtar vëzhgoi votimin në mbi 1375 qendra votimi, nga 4653 gjithsej dhe numërimin në të 66 vendet e numërimit të votave. Misioni vëzhgues u hap në Tiranë më 8 maj me 12 ekspertë në kryeqytet dhe me 26 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë nëpër të gjithë territorin shqiptar. Asambleja Parlamentare e OSBE-së zhvilloi një vizitë parazgjedhore më 4-5 qershor 2009.