Komisioni Europian, 500 milionë euro për Kosovën
500 milionë euro është shuma që do t’i dhurojë Komisioni Europian Kosovës për rindërtimin ekonomik të saj deri në vitin 2011. Lajmi u bë i ditur para hapjes së Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve. komisionari Oli Rehn dhe kryeministri Hashim Thaçi përshëndetën në një konferencë të përbashkët për shtyp fondin e dhënë për Kosovën dhe shprehën besimin se kjo ndihmë do të ndihmojë në ndërtimin e Kosovës. Mes të tjerash, Thaçi bëri të ditur se Kosova aspiron të bëhet pjesë e dy organizmave të mëdha, Bankës Botërore dhe FMN-së. Komisionari europian Oli Rehn bëri të ditur vendimin e KE-së duke shtuar se “tani shpresojmë që qeveria e Kosovës të garantoje shpenzimin e tyre sa më drejt”. “Shpresojmë se ky fond do të përmirësojë ekonominë e Kosovës, ndërtimin e saj. Për ne Kosova është një vend që mbështet perspektivën europiane dhe ne e falënderojmë për këtë”, - tha Rehn në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hashim Thaçi. Kryeministri kosovar nga ana e tij garantoi se asnjë qindarkë nuk do të shkojë në drejtimin e gabuar, por fondi do të shkojë në drejtim të prioriteteve. “Do të doja të shprehja që asnjë donacion nuk do të shkojë në drejtimin e gabuar, por do të shkojë atje ku duhet në drejtim të prioriteteve kryesore. Do të kemi angazhim të thellë për të zbatuar ligjin”, - tha në konferencën për shtyp Hashim Thaçi. Kryeministri e falënderoi nga ana e tij BE-në për ndihmën që po i jep Kosovës dhe shtoi se qeveria që ai drejton si shpërblim është e angazhuar për një qeverisje të mirë për të luftuar çdo lloj krimi të organizuar, dhe se do të punojë në ndihmë të qytetarëve të saj.
I pyetur nga mediat nëse fondi do të shkojë edhe në adresë të komunitetit serb, Thaçi u shpreh krenar që është kryeministër i një vendi me komunitete dhe theksoi se paratë do të jenë për të gjithë popullin e Kosovës, pa dallim. Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve synon mbledhjen e ndihmave për rindërtimin ekonomik të Kosovës dhe organizohet në Bruksel pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë.
12 Korrik 2008