Rama: Shqipëria kërcënohet nga kolapsi energjitik
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në tryezën e organizuar nga PS-ja për energjinë dhe burimet natyrore, është shprehur se Shqipëria rrezikon një kolaps të vërtetë energjitik.
Sot kryefjala është kriza që kërcënon kolapsin në raport me konsumatorët për shkak të gjendjes shumë të degraduar të furnizuesit me energji të konsumatorit, tha Rama gjatë fjalës së tij.
“Burimet natyrore shfrytëzohen pambarimisht dhe ne importojmë energji elektrike me 60 euro dhe eksportojme me 40 euro. Dhe humbjen nga keqperdorimi i energjisë elektrike qoftë për shkak të mungesës apo për shkak të korrupsionit është e barabartë me gjithë prodhimin e Vaut të Dejës. Sot energjia elektrike është 65 % më ë shtrenjtë se viti 2003, nafta 3 herë më e shtrenjtë, dhe këtu nuk ka keqkuptim. Evazioni fiskal po lulëzon, u konfirmua me fakte se kontrabanda e naftës është një aktivitet kriminal, por e organizuar politikisht, vijoi më tej Rama.
Rama akuzoi qeverinë se po përdor çdo burim energjie e industrie për përfitime financire të një grupi njerëzish dhe në dëm të popullit.
Bota e ka një fabrikë çimentoje për 7 milionë njerëz, kurse Shqipëria ka një fabrikë çimentoje për çdo 300 mijë banorë, tha ai.
Sipas tij, sot qeveria i ka shtrirë monopolet dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore duke vënë një të mirë publike në shërbim të një pakice sipërmarrësit klientelist të qeverisë të lidhur me interesat politike dhe financiare të një grupi në qeveri që kontrollon këtë fushë.
Rama ka theksuar gjithashtu se sektori i industrisë së naftës ndodhet sot në krizë ndërsa burimet natyrore shfrytëzohen barbarisht dhe pa efikasitet. Ai ka shtuar se borxhi publik i Shqipërisë është më i madhi në rajon ndërsa është shtuar evazioni fiskal si pasojë e aktiviteteve kriminale tek privatizimet.