Haxhinasto: Nuk ekziston Çamëria në toponimet greke
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në një intervistë me Alfred Pezën në Vizion Plus, thotë se Çamëria nuk ekziston në toponimet greke. I pyetur për kthimin e qytetarëve çamë në kufi, Haxhinasto tha: Sigurisht që ne jemi përpjekur që kjo problematikë të zgjidhet, kjo problematikë vazhdon të ekzistojë pasi ka të bëjë me mënyrat e caktuara të shkrimit të toponimeve në dokumentet tona zyrtare, por sigurisht kjo çështje zgjidhet nëpërmjet dialogut, komunikimit. Pala greke ka shprehur qëndrimin se ajo njeh atë toponim që është paraqitur në formë zyrtare nga ana e saj në OKB. Në këtë listë që është paraqitur në OKB prej 10 vitesh nuk ekziston fjala Çamëri dhe ky është një detyrim që ne ta trajtojmë këtë çështje në mënyrë dypalëshe.
I pyetur për faktin se peshkatarët e Sarandës po bllokohen nga marinarët grekë dhe po gjobiten për shkelje kufiri, ministri i Jashtëm tha se gjithçka di është ajo që ka parë në media (?!). Haxhinasto tha se partia e çamëve nuk ka bërë asnjë kërkese për këtë çështje, edhe pse PDIU doli në një konferencë për shtyp për diçka të tillë. Ministri i Jashtëm tha se nuk kanë nisur negociatat për ndarjen e detit me Greqinë. Ai deklaroi se po hartohet një kuadër ligjor për të shmangur bllokimin që u bën presidenti kandidaturave për në ambasada. Haxhinasto tha se po punohet për një ligj që do i bëjë më fleksibël emërimet në ambasada. Në këtë mënyrë do kenë dorë të lirë të emërojnë njerëzit e tyre, siç ka ndodhur deri më tani.