E Diel, 1 Nëntor 2026

Davutoglu-Berishës: Shërbime për shqiptarët nga ambasadat turke

Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim me Ministrin e Jashtëm të Turqisë Ahmet Davutoglu.
Gjatë takimit, ministri Davutoglu vlerësoi arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, duke theksuar se ekonomia shqiptare, falë politikave dhe reformave të suksesshme të qeverisë, i ka qëndruar kësaj kohe të vështira për ekonominë globale.
 

Në takim u vlerësua rritja e madhe e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dy vendeve, gjatë këtyre 5 viteve, e cila ka kapërcyer vlerën e 400 milionë dollarëve dhe e investimeve turke në Shqipëri, të cilat i kanë kapërcyer një miliardë dollarë, çka dëshmon për besimin që investitorët dhe biznesi turk kanë në ekonominë shqiptare dhe politikat e qeverisë, të cilat kanë krijuar klimën më të favorshme për biznes e investime.
 

Ministri Davutoglu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptare në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare.

Kryeministri Berisha e falenderoi ministrin Davutoglu për këtë gatishmëri bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe shfrytëzoi rastin për t`i përsëritur mirënjohjen e të gjithë shqiptareve për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj.
 

Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer që të dy vendet kanë ndërtuar në fushën e sigurisë dhe në kuadër të NATO-s, si edhe u theksua roli i rëndësishëm, strategjik e i moderuar që Shqipëria ka luajtur në vijimësi në dobi të forcimit të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›