E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shqipëria në krizë, bashkim përtej partive politike

TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar sot se vendi është zhytur jo vetëm në krizë politike por edhe ekonomike. Rama bëri thirrje për një bashkim përtej të majtëve dhe të djathtëve dhe madje përtej partive për të ndryshuar këtë gjendje të padurueshme.


"Ndjejmë detyrimin që të luftojë për vendosjen e ligjit dhe të drejtësisë mbi interesat e një grupi njerëzit që janë ngritur mbi shtetin", u shpreh Rama. "Propaganda e shëmtuar e Nanos, Metës dhe Berishës fajëson opozitën për çdo gjë nis nga heqja e vizave e deri tek dobësimi i lekut", vijoi ai.


Ndërkohë Rama ka kërkuar që të merren masa për ruajtjen stabël të monedhës sonë si dhe për buxhetin e shtetit që u përdor për shirita fushate. Nga ana tjetër ai deklaron se PS-ja është e hapur për të gjithë ata që duan ta ndryshojnë këtë vend përtej të majtës dhe të djathtës, shoqata dhe individë që nuk mund ta durojnë këtë gjendje.

Mblidhen liderët e së majtës: Bojkot deri në zbardhjen e zgjedhjeve

TIRANË - Janë takuar sot pasdite kryetarët e partive të majta në vend, për të diskutuar mbi rrugën që do të ndjekë opozita, pas tentativave të vakëta të mazhorancës për ti ftuar në Parlament. Mësohet se krerët e së majtës kanë ndarë të njëjtin qëndrim për vazhdimin e mospjesëmarrjes në Kuvend. Ky është takimi i parë i krerëve të opozitës që pas zgjedhjeve të 28 qershorit.


Në takimin e zhvilluar në selinë e PS-së, ishin të pranishëm kreu i PS, Edi Rama, ai i PDS Paskal Milo, kryetari i G99 Erjon Veliaj, kreu i PSD Skënder Gjinushi dhe Vangjel Dule i PBDNj-së. Sipas Paskal Milos, krerët e opozitës kanë rikonfirmuar bindjen për të mos u bërë pjesë e Parlamentit deri në plotësimin e kushteve, që kanë të bëjnë me atë që ata e quajnë "zbardhje të krimit elektoral të 28 qershorit". Milo shtoi se po punohet për të fuqizuar të majtën.


"U përcaktua shumë qartë se opozita kërkon edhe njëherë hapjen e kutive të votimit, sepse aty fshihet e vërteta e manipulimit të zgjedhjeve. Tashmë është më tepër se kurrë e domosdoshme që opozita të unifikohet dhe të bashkërendohet. Do të ketë takime të tjera në të cilat do të diskutohet për kalimin në një fazë tjetër të veprimit opozitar ", theksoi Milo.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›