E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Sistemi i ri, jo më vizita të deputetëve në fushata

 

Rama në Pogradec: Ndryshimi zgjedhor i domosdoshëm, të instalojmë një politikë të re

Rama: Sistemi i ri shmang makinat me çakull të deputetëve në fushata

 

Pogradec - Në vijim të turit të tij "Dialog me Shqipërinë", kryetari socialist Edi Rama është ndalur në qytetin e Pogradecit . Ai theksoi në këtë takim se, PS ka depozituar në Kuvend kërkesën e cila synon ndryshimin zgjedhor, duke kaluar në një sistem të ri, ku do të garantohet vota dhe secili zgjedhës do të votojë në mënyrë të thjeshtë, duke u nisur nga një program dhe duke pasur përpara një ekip konkret. Partia Socialiste, theksoi Rama, do të ketë ekipet e saj në të gjithë Shqipërinë në rang qarku dhe shqiptarët do të votojnë duke u nisur nga programi dhe nga ekipi. Dua të theksoj se kjo është një reformë e domosdoshme pasi ju vetë jeni dëshmitarë të atyre fenomeneve që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit, pasi në funksion të së majtës dhe të PS kanë marrë votat tona dhe sot gjenden në koalicion me Berishën. Reforma e re zgjedhore do t'ju garantojë votën tuaj dhe ne kërkojmë që të kalohet tek ky sistem që garanton një demokratizim të procesit zgjedhor duke u nisur nga programi, nga idetë, në mënyrë që zgjedhja të bëhet jo mbi bazën e një deputeti që sjell ca makina me çakull apo jep ca lekë, apo siguron ca viza për matanë kufirit. Këto nuk janë punë deputetësh dhe zgjedhjet nuk mund të kthehen në gara se kush ka lekë, kush bën një rrugë dhe kush bën një kanal. Dhe ju jeni dëshmitarë, theksoi Rama, se ky kandidat që më pas bëhet deputet harron ta mbylli atë kanal që e ka hapur gjatë fushatës, apo të mos kalojmë tek premtimet e pafundme, pra, vetëm me sistemin e ri, ne i themi çdo zgjedhësi që të vendosi për më të mirën me votën e tij.

Më poshtë, Rama theksoi se misioni ynë është që të transformojmë Shqipërinë dhe të ndikojmë drejtpërdrejt, edhe kur jemi në opozitë, me mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri. Ne kemi qenë gjatë kësaj kohe një opozitë e qytetarëve, një opozitë që ndikon në mbarëvajtjen e punëve në vend, për të nxitur ato punë që kanë të bëjnë me shtetin dhe jo me pushtetin, të shkojnë sa më mirë dhe për t'ia u lehtësuar atyre që kanë të afërmit jashtë atdheut të qenit shqiptar duke përmirësuar imazhin e Shqipërisë, që Shqipëria në sytë e botës të mos shihet si një vend ku ka vetëm banditë, ku ka vetëm korrupsion, ku ka vetëm kriminalitet, ku ka vetëm trafiqe dhe ku nuk ka asgjë tjetër. Më tej, Rama theksoi se në Shqipëri ka një popull që jeton me punë të ndershme, që mezi nxjerr muajt me djersën e ballit. Për të gjitha këto ne jemi realistë që të luajmë rolin që na takon, që të nxitim nëpërmjet reformave dhe proceseve, që siç e patë edhe në rastin e NATO-s, kur ne si opozitë morëm barrën që na takoi. Është fakt, theksoi Rama, duhet të ndahemi një herë e mirë nga proceset zgjedhore të deformuara plotësisht, dhe duhet të vendosim rregulla të reja loje dhe këto rregulla loje vendosen bashkë me kundërshtarin dhe nuk mund të shkosh të luash futboll duke e bërë portën të madhe sa do ti dhe kundërshtari jot ta bëjë aq të madhe sa do ai, ti të thuash është penallti kur ai të thotë është korne, dhe ti të thuash of-sajt kur ai është gol i rregullt, se pa marrëveshje me kundërshtarin nuk luan dot futboll, kur nuk ke këto rregulla loje. Pra, theksoi Rama, duhet të jemi shumë të bindur dhe të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të mos i dëgjojmë për asnjë arsye ato argumente që i takojnë të shkuarës, të mos tërhiqemi për asnjë arsye përpara atyre paragjykimeve, të cilat na kanë bërë të humbim kaq shumë kohë. Ne, theksoi Rama, duhet të kishim hyrë në NATO shumë vjet më përpara dhe kjo politikë e vjetër na la që ne të humbasim 15 vjet dhe mos harrojmë që Shqipëria e bëri hapin e parë që në vitin 1992 dhe nëse kjo nuk u realizua qysh atëherë, ju i dini arsyet shumë mirë: vetëm për pushtet individual, nuk e lanë Shqipërinë të merrte frymë lirisht. Ne u bëmë dëshmitarë të sulmit të institucioneve me armë dhe ne humbëm shumë kohë që vendi humbi shanse dhe mundësi të shumta, që plot energji dhe shpresa të shkojnë kot, që plot shqiptarë dhe shqiptare vazhdojnë të marrin arratinë dhe të gjithë së bashku të neveritemi nga politika, duke e konsideruar politikën, për fat të keq, si një të keqe të madhe. Në fakt, politika nuk është një e keqe e madhe dhe nuk është ajo që ne kemi parë dhe kemi ndjekur, që na ka ndjekur këmba-këmbës me hijen e konfliktit dhe të sherreve të dasive, thjesht për interesa individuale dhe për flamurë për pushtet mes grupeve të cilat flamujt e partive që i kanë mbajtur njerëzit e thjeshtë me votat e tyre, i kanë kthyer në bajraqe për përfitime personale dhe thjeshtë dhe vetëm thjeshtë për të bërë të mundur pasurimin e një pakice gjithmonë e më të vogël, në kurriz të një shumice gjithmonë e më të madhe, e cila varfërohet gjithnjë e më shumë. Por politika nuk është kjo, theksoi Rama, politika është diçka krejt tjetër, politika është pasioni për të ndryshuar realitetin. Politika nuk është mur ndarës duke i përçarë njerëzit sa majtas e djathtas, në emër të një të shkuare që vazhdon të rëndojë mbi të ardhmen. Politika është art i bashkimit është art i prishjes së këtyre gardheve, ne duhet të bashkohemi, në radhë të parë si qytetarë, si prindër që duam të rritim fëmijët në një atdhe më të mirë se ky që kemi që e nesërmja të mos jetë si e sotmja, sepse meritojmë një jetë me respekt dhe dinjitet. Në fund Rama theksoi se aty ku politika e vjetër na ndan, ne aty duhet të vendosim urat e bashkëpunimit, pikërisht aty qëndron forca jonë, koha e politikës së vjetër ka kaluar, është koha e gjithë atyre që përpara se të jenë socialistë e demokratë, janë në radhë të parë shqiptarë që duan dinjitet dhe një të ardhme të sigurt. Më poshtë, Rama theksoi se ai vullkan korrupsioni që shpërtheu në Gërdec ishte sinjali përtej të majtës dhe të djathtës, ishte një mësim i mirë për të gjithë ata që kanë shpërdoruar votën e popullit. Më pas, Rama ka dëgjuar për gati një orë dhe më pas ka dialoguar me të pranishmit në sallë. Rama iu përgjigj më pas pyetjeve të anëtarëve të PS, duke theksuar frymën e bashkëpunimit dhe kompromisit në emër të interesave të larta që ka vendi.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›