Rama: S'jam politikan, por qytetar që s'dorëzohem
Edi Rama përcolli mesazhin për një bashkim të ri mbi barrikadën që i ka ndarë shqiptarët majtas dhe djathtas
TIRANË- "Shqipëria sot nuk është pranë Evropës dhe nuk ngjan me Shqipërinë që 16 vjet më parë, ata të rinj që krijuan FRESSH-in ëndërruan". Me këto fjalë i është drejtuar kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, të rinjve socialistë që ishin dje në "Pallatin e Kongreseve" në datëlindjen e 16-të të Forumit Rinor Eurosocialist, duke evidentuar domosdoshmërinë për t'u shkëputur nga e shkuara dhe për të vënë në jetë politikën e re të ndryshimit. Në një takim, ku nuk mungonin drejtuesit më të lartë të PS-së si: kryetari, Edi Rama, kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, ish-kryeministri, Pandeli Majko, drejtues të forumeve rinore të partive aleate, si dhe princi, Leka Zogu, FRESSH ka festuar 16-vjetorin e krijimit të tij. Në një dekor të thjeshtë dhe ku binte në sy slogani "Socialistë të shekullit të ri", të rinjtë socialistë, për më shumë se 90 minuta janë njohur me historinë e këtij forumi dhe idetë e reja që PS po propagandon prej disa muajsh në "Dialogun me Shqipërinë". Nga plejada e themeluesve dhe drejtuesve të parë të këtij forumi ka përshëndetur ish-kryeministri, Pandeli Majko, i cili gjatë fjalës së tij ka theksuar se FRESH është një nga pjesët më të bukura të historisë së PS-së. "Është e vështirë të flitet për kujtimet dhe me kujtime për ato vite të zjarrta të shpresës së lindur dhe shpresës së zhgënjyer të moralit që ndeshet me amoralitetin, të kërkimit për pushtetin për të shërbyer dhe shndërrimit të qytetarit në shërbyes të pushtetit, gëzimit të triumfit dhe dhimbjes së disfatës, të ditës edhe natës që na ka shoqëruar në gjithë këta vite",- u shpreh Majko. Ndërkohë, duke marrë fjalën, kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar pikërisht ndihmën dhe kontributin e brezit të ri, për të zvogëluar hendekun midis Europës së zhvilluar dhe Shqipërisë që vazhdon të mbetet në vend numëro. "Rinia mund të ndryshojë politikën dhe mund të ndryshojë Shqipërinë. Unë nuk jam politikan! Dua ta them këtë sot me zë të lartë, drejtpërdrejtë. Unë jam një qytetar. Jam një qytetar si ju, si shumë të tjerë. Jam një qytetar që nuk dorëzohem. Jam një qytetar që nuk mund të pranoj se vendi ynë ishte ky dhe do të mbetet ky, edhe pas ikjes time nga kjo jetë",- theksoi kryesocialisti Edi Rama. Në vijim të kësaj ideje Rama ka theksuar nevojën për një angazhim të të gjithë të rinjve, për të formuar një bashkim të ri, përtej kufijve të partive politike. "Kjo është një ngrehinë e kalbur, të cilën ne duhet ta shembim. Ky mur i ndërtuar prej 17-vjetësh, në emër të një ndarjeje në të majtë dhe në të djathtë, është kurthi të cilit ne duhet t'i ikim, të gjithë së bashku. Unë ju ftoj që të shkoni kudo, në fshat dhe në qytet, dhe të përcillni mesazhin e nevojës për një bashkim të ri, për një bashkim të ri të së djathtës së vjetër, për një bashkim të ri mbi barrikadën që i ka ndarë shqiptarët majtas dhe djathtas, në mënyrë që një grusht njerëzish t'i sundojnë për 17 vjet",- u shpreh Rama.