E Diel, 1 Nëntor 2026

"As një orar kufizimesh nuk jeni në gjendje të menaxhoni?!"

Dje pasdite, kur gjithë lagjja ime ishte e mbuluar nga errësira për plot 5 orë e mua m'u mbarua edhe qiriri i fundit që kisha në shtëpi. E mendoja: "Mor, me çfarë konkretisht merret një qeveri kur nuk siguron dot një minimum jetese? Ju do thoni "o ç'na çave kokën tani!". Po mor po, po rrogën, dieta dhe atë "në mos rrjedhtë, do pikë" i merrni në fund të muajit ju? I merrni domosdo! Një minimum po kërkojmë. Kërkojmë një orar fiks për ndërprerjet e energjisë që të njihet, të afishohet, të dihet nga të gjithë me qëllim që ai i moshuari të mos ngelet më në ashensor për orë të tëra apo një fëmije të mos ngelet në dush në errësirë, pa llogaritur pastaj dëmet marramendese të dëmtimeve të pajisjeve elektro-shtëpiake që me aq mund i siguron pjesa më e madhe e shqiptarëve. As një orar kufizimesh nuk jeni në gjendje të menaxhoni? (Ou…përdora një fjalë pak të vështirë, jo të menaxhoni, por të afishoni). Të afishoni pra një orar kufizimesh e të ndiqni zbatimin e tij, me të njëjtin zell siç afishoni posterat me fytyrat tuaja në çdo cep e çdo faqe muri kur kërkoni votën, me të njëjtin zell siç rreshtoheni aty në radhë në Parlament, kur bie fjala për miratimin e ndonjë ligji për rritje page apo shpenzimeve tuaja personale, me të njëjtin zell siç dilni në konferenca shtypi për të treguar "shpikjen" e qeverisë për zhdukjen e radhëve gjatë marrjes së dëshmive të penalitetit. Ju sigurisht ju duket diçka e vogël, pa rëndësi, por që për të gjithë ne, në këto kushte që na keni katandisur, ka rëndësi të madhe. Se tek ato orare varet e gjithë puna jone: kur do gatuajmë, kur do lahemi, kur do hekurosim, kur do pastrojmë. Pra ju lutem: Vendosni një orar të saktë kufizimesh e afishojeni kudo me lagje, blloqe apo rrugë. Bëjeni këtë të paktën!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›