E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulqini: KESH po vjedh përmes faturave afrofe

"Mijëra familje dhe biznese shqiptare, vazhdojnë të vidhen në portofolet e tyre nga faturistët e KESH"
TIRANË- Partia Socialiste akuzon Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare se po grabit mijëra familje dhe biznese, duke faturuar energjinë elektrike në mënyrë afrofe. Pagimi i energjisë në mënyrë afrove, sipas socialistëve, është konsideruar nga pushtetarët e sotëm si mënyra e vetme për të mbushur arkën e boshatisur të KESH-it dhe për të kompensuar humbjet që vijnë në këtë sektor, si pasojë e paaftësisë për të menaxhuar këtë korporatë. Deputeti Musa Ulqini, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka denoncuar faktin se KESH qëllimisht ka vonuar dhe po pengon pajisjen e konsumatorëve me matësa, duke favorizuar mënyrën e faturimit afrove të energjisë. Sipas tij, janë më shumë se 100 mijë familje dhe biznese, të cilat sot vuajnë atë që ai e konsideroi si politikën e vjedhjes së xhepave të shqiptarëve nëpërmjet faturimit afrove. "Mijëra familje dhe biznese shqiptare vazhdojnë të vidhen në portofolet e tyre nga faturistët e KESH, përmes faturave afrofe. Janë mbi 105 mijë konsumatorë familjarë dhe biznese, të cilët nuk janë pajisur ende me matësa të energjisë elektrike",- u shpreh Ulqini. Sipas tij, është detyrim ligjor i Korporatës Energjitike pajisja e konsumatorëve me matësa. Duke cituar pikërisht nenin 51 të Ligjit Nr.9072 "Për sektorin e energjisë elektrike", Ulqini ka bërë të ditur për publikun se instalimi, mirëmbajtja dhe verifikimi i saktësisë së matësit të energjisë bëhet nga furnizuesi me shpenzimet e veta. Në këtë mënyrë, sipas selisë rozë, fakti që sot ekziston një numër kaq i madh konsumatorësh të pa pajisur me matësa tregon qartë se qeveria e sotme, nga e cila varet dhe Korporata Elektroenergjitike, jo vetëm që ka dështuar në premtimet e saj elektorale, por ka shkelur dhe ligjin, duke parapëlqyer faturimin e energjisë afrofe. "Sipas programit 4-vjeçar të qeverisë, faturimi afrofe dhe instalimi i matësve në të gjithë konsumatorët do të përfundonte brenda vitit 2006. Sot, pasi ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit të kësaj qeverie, është bërë e mundur të pajisen me matës vetëm 40 mijë konsumatorë",- u shpreh Ulqini. Duke nënvizuar se një fenomen i tillë konsiderohet me terma kritik edhe në Raport-Progresin e Bashkimit Europian, për vitin 2007, PS e cilëson politikën e ndjekur nga korporata si abuzive dhe të rëndë për konsumatorët shqiptarë. Ndërkohë, është mbushur mëse 1 muaj pas vendimit arbitrar të drejtuesve të KESH-it ndaj Televizionit A1, që iu ndërpre energjia elektrike. Shkëputja e energjisë në këtë televizion u bë pas një veprimi në kundërshtim me ligjin nga ana e drejtuesve të KESH, që kërkonin pagimin e faturës afrofe të vendosur në mënyrë abuzive nga faturistët, problem ky që u ngrit sa më sipër edhe nga deputeti Musa Ulqini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›