E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, grabitja e kambistit, të dyshuar nga 5 rrethe

 BERAT/ DILAVER XHELILI Grabitja dhe dhunimi i kambistit në Berat mbetet ende mister për policinë. Ndonëse deri më tani janë shoqëruar mbi 20 persona, asnjëri prej tyre nuk është ndaluar me akuzë konkrete. Sipas policisë, ndër personat që u shoqëruan dhe u morën në pyetje për disa orë janë edhe miqtë e 43-vjeçarit Besim Guri. "Kemi shoqëruar 20 të dyshuar në pesë rrethe të vendit", bënë të ditur burime të policisë. Mësohet se të shoqëruarit janë nga Lushnja, Fieri, Kuçova, Poliçani, Skrapari dhe Berati. Disa prej tyre janë edhe persona me precedentë të mëparshëm. Sipas burimeve, ndonëse grabitësit kanë qenë me maska, sërish personat e shoqëruar janë vënë përballë të dhunuarit për njohje të mundshme. Por kambisti për secilin prej tyre ka ngritur supet, duke mos mundur të identifikojë ndonjërin si autor të dyshuar të grabitjes së 80 mijë lekëve, si dhe të masakrimit të tij me qytën e armëve, duke e futur më pas pa ndjenja në bagazhin e mjetit të tij. Ngjarja e ndodhur dy ditë më parë ka shqetësuar jo vetëm policinë, por edhe opinionin në Berat. Blutë janë vënë në kërkim të autorëve, por deri më tani ata rezultojnë ende të lirë, madje edhe të paidentifikuar. Babai i dy fëmijëve ka pohuar në polici se nuk është në gjendje që të identifikojë autorët, pasi këta në momentin e grabitjes, kanë qenë me maska dhe dorashka. "Nga 20 personat e shoqëruar, dy shtetas janë nga Lushnja, të cilët dyshohej se do të ishin autorë të kësaj grabitjeje. Gjithashtu, janë shoqëruar tre persona nga qyteti i Kuçovës, 2 të tjerë nga Poliçani, disa të tjerë nga Skrapari, Fieri si dhe nga Berati", bëri të ditur policia. Sipas burimeve, po punohet në dy pista. Fillimisht u dyshua se personat e kishin grabitur për qëllime përfitimi të shumës së parave që kambisti posedonte në atë moment, por më pas nuk është përjashtuar as pista e grabitjes së 43-vjeçarit për shkak të konkurrencës apo të ndonjë konflikti të mundshëm. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:30 të së martës kur kambisti Besim Guri u sulmua nga dy persona të maskuar dhe të armatosur në momentin kur ai do të hapte mjetin në garazhin e shtëpisë së tij. Pasi i kanë marrë të gjitha paratë që ai kishte me vete, të pakënaqur me sasinë, ata e kanë qëlluar me tytën e armëve në kokë dhe më pas e kanë futur pa ndjenja në bagazhin e mjetit të tij, familjarët e gurit janë merakosur kur kanë parë që ai nuk po dilte nga garazhi, ndaj kanë zbritur për të parë se çfarë po ndodhte. Kur kanë parë pika gjaku në dysheme ata sinjalizuan policinë. Kjo e fundit shkoi në vend dhe pasi hapi me forcë bagazhin, gjeti brenda saj 43-vjeçarin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›