Bujqësia, pronat rrezikojnë paratë e BENga Ervin QafmollaNë çastin kur Shqipëria bëhet vend kandidat për t’u pranuar në Bashkimin Evropian, gjithashtu ajo kualifikohet për të përfituar dhjetëra apo qindra milionë euro në vit, të cilat shkojnë kryesis
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Bujqësia, pronat rrezikojnë paratë e BENga Ervin QafmollaNë çastin kur Shqipëria bëhet vend kandidat për t’u pranuar në Bashkimin Evropian, gjithashtu ajo kualifikohet për të përfituar dhjetëra apo qindra milionë euro në vit, të cilat shkojnë kryesisht për mbështetjen e fermave dhe aktorëve të tjerë në zinxhirin agroushqimor. Këto pará do të shkojnë në formë subvencionesh për zhvillimin e sektorit bujqësor shqiptar. Gjithçka menaxhohet nga Sistemi i Integruar i Administrimit dhe Kontrollit (SIAK). Ky i fundit është instrumenti bazë për menaxhimin e sistemit të pagesave për tokën bujqësore dhe transmetimin dhe kontrollin prej mekanizmave të tjerë të Politikës së Përbashkët Bujqësore (Common Agriculture Policy) që zbatohet brenda Bashkimit Evropian. SIAK në vetvete arrin të funksionojë bazuar mbi sisteme të tjera të informacionit dhe monitorimit, ku informacioni mbi tokën bujqësore - pronësinë, përdorimin e saj, përbërjen, infrastrukturën shoqëruese etj., - ka një rol parësor në realizimin e gjithë procesit.
Pra, që bujqësia shqiptare të përfitojë subvencionet e Bashkimit Evropian, duhet të ketë më së pari një sistem të saktë të informacionit në lidhje me numrin dhe madhësinë e fermave, si dhe duhet të ekzistojë një klasifikim i qartë sipas morfologjisë së prodhimit dhe madhësisë ekonomike. Gjithashtu, duhet të ketë një databazë informacioni mbi strukturën e mbjelljeve që të arrihet në një sistem monitorimi mbi shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve. Një nga parakushtet themelore është edhe disponimi i informacionit të saktë mbi përkatësinë dhe tipin e pronësisë për të shmangur mbivendosjen e subvencioneve. Por, informacioni mbi pronësinë e tokës bujqësore përbën pa dyshim mangësinë themelore në këtë drejtim.
Sistemet e informacionit mbi tokën lehtësojnë, jo vetëm marrëdhëniet pronësore, por edhe lidhjen e aparatit qeverisës me aparatin prodhues privat; në rastin konkret, fermerin. Komponentë të tillë, si vlerësimi dhe taksimi i tokës, planifikimi i tokës dhe zbatimi i rregulloreve mbi përdorimin e saj, janë të lidhur ngushtë me një sistem të integruar informacioni mbi tokën. Ky sistem do të jetë në të ardhmen pjesë e pandashme e transferimit të pagesave dhe monitorimit të përdorimit eficient të tyre për sistemet e prodhimit bujqësor.
Aktualisht, Shqipëria vuan nga fragmentarizmi i skajshëm i tokës bujqësore, me 400 mijë familje që kanë në pronësi mesatarisht nga 1.1 hektarë secila. Për më tepër, probleme si mbivendosja e pronësisë, shpërndarja jo e njëtrajtshme e tokës bujqësore sipas sistemeve të ndryshme, ku bëjnë pjesë sisteme duale - Ligji 7501, apo ai zakonor, apo i kombinuar mes të dyjave - janë ndër faktorët që kanë shkaktuar kaos në regjistrimin e pronësisë. Gjithashtu, një ndër faktorët frenues ka qenë shtrirja shumë e gjatë në kohë e zbatimit të Ligjit 7501, për sa i përket ndarjes faktike të tokës bujqësore. Sikundër theksohet në raporte të ndryshme të institucioneve ndërkombëtare, procesi duhet të kishte përfunduar brenda 2-3 vjetësh. Në fakt, procesi u zgjat deri më sot, duke vështirësuar ndarjen e tokës, si dhe duke shkaktuar anomali të ndryshme. Probleme të mëdha lindën edhe nga migrimi i brendshëm i popullsisë, si dhe nga mungesa të koordinimit institucional, abuzimet, përllogaritjet e gabuara të kufijve e të tjera. Ekzistojnë studime të ndryshme të kryera nga më shumë se një institucion mbi gjendjen e pronësisë së tokës bujqësore, por është shumë e vështirë të gjenden të dhëna të sakta mbi gjendjen e pronësisë së tokës bujqësore.
Ndihmë e pjesshme?
Sistemi i informacionit në Shqipëri ka qenë viktimë e ndihmës së fragmentuar dhe të mbivendosur të donatorëve. Nëse flitej për hartat dhe hedhjen e informacionit, bëhej fjalë për diçka të re në nivel teknologjik, ndaj ndërhyrja e donatorëve ka qenë e domosdoshme. Të gjithë kanë dashur të fusin dhe përshtatin teknologjinë e nevojshme, por kanë ‘harruar’ faktin se informacioni, mbi të cilin bazohej kjo teknologji, ishte i gabuar. Ndoshta institucioni i parë që ndërmori një hap konkret në përmirësimin real të gjendjes së informacionit mbi pronësinë e tokës bujqësore ishte USAID, që organizoi një projekt të madh për regjistrimin e pronave të paluajtshme. Për herë të parë u mblodh gjithë informacioni ekzistues duke filluar nga kadastrat, arkivat, hartat ushtarake, hartat inxhinierike etj. Qëllimi përfundimtar i këtij projekti ishte, jo vetëm regjistrimi i pronave në Shqipëri, por dhe të krijohej një institucion qendror, i cili do të siguronte që mbi hartën e pronësisë - ku qelizë fillestare ishte parcela - do të hidheshin informacione të tjera shoqëruese që mund të përdoreshin nga të gjitha institucionet vendimmarrëse në lidhje me tokën ose planifikimin urban. Për shembull, ngastra e tokës (parcela) të kishte informacion mbi vendndodhjen e saj gjeografike, rrugët e afërta, kanalet vaditëse etj. Por, mbi 20% e popullsisë nuk iu përgjigjën këtij regjistrimi, sepse pronësia ishte ndarë në baza personale, ndërsa viti ’97 pati një impakt dramatik mbi ecurinë e projektit. Më pas migrimi i brendshëm i popullsisë dhe faktorë të tjerë ndikuan në mosplotësimin e këtij projekti.
Në vijim pati projekte të ngjashme, sërish nga USAID, Banka Botërore për pyjet, FAO për vreshtat etj. Të gjithë tentuan të fusnin teknologji të regjistrimit, por në mënyrë të pakoordinuar me njëri-tjetrin.
Aspekti institucional
Para vitit 1991, një shërbim kadastral ka ekzistuar në formën e një inventari të tokave bujqësore të bazuar në harta, që përdorej për të planifikuar dhe zbatuar aktivitetet bujqësore të kooperativave dhe fermave shtetërore. Ky sistem menaxhohej nga Ministria e Bujqësisë, e cila kreu vrojtime në terren, si dhe prodhoi hartat kadastrale për 26 rajone në vend. Pas vitit 1991, zyrat e kadastrës kishin për detyrë të transferonin të gjitha pronat në regjistrin e tokës së Sistemit të Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme, ku sipas dosjeve do të sigurohej baza për përcaktimin fizik dhe ligjor të parcelave. Megjithatë, zyrat e kadastrës në nivelin komunal/bashkiak apo sipas përcaktimeve të tjera rajonale, mbajtën kopje të dokumenteve, të cilat përdoren kryesisht nga qeverisja vendore për qëllime të planifikimit urban, planifikimit bujqësor dhe zgjidhjen e konflikteve mbi pronësinë e tokës. Aktualisht, ekzistojnë disa nisma ligjore sipas kategorive specifike, të cilat autorizojnë krijimin e kadastrave dhe regjistrave që duhet të përshtaten bashkë në një sistem të unifikuar.
Zyra e kadastrës qendrore, e cila dikur ishte nën juridiksionin e Institutit të Kërkimit të Tokës, është aktualisht pjesë e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë, e cila varet direkt nga Ministria e Bujqësisë. Këtu ruhen të gjitha hartat e trashëguara nga e kaluara, të cilat i referohen parcelës si njësi primare, ku përcaktohen pronësia, vendndodhja, pozicioni gjeografik, kufijtë, koordinatat etj. Megjithatë, këto harta nuk janë dublikuar apo përditësuar me informacion mbi llojin e përdorimit të tokës, përbërjen e truallit, vlerën apo situatën mjedisore. Informacione të tilla do të mundësonin politikë-bërësit që të ofronin këshillim të saktë mbi politikat dhe praktikat bujqësore.
Së fundmi, për herë të parë, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë ka regjistruar 5 komuna pilot në Peqin, me qëllim përfshirjen e të dhënave në bazë parcele, si pronësia, mbjellja, cilësia e tokës, infrastruktura shoqëruese etj. Regjistrimi parashikohet të shtrihet edhe në rajone të tjera. Në të njëjtin institucion ekziston edhe kadastra e vreshtave, kadastra e sistemit ujitës, ndërsa pritet edhe vendosja e kadastrës së ullirit. Por këto kadastra nuk janë të integruara me njëra-tjetrën. Informacione të tjera të ngjashme ekzistojnë në shërbimin rajonal të kadastrës, i cili është i shpërndarë nëpër njësitë drejtuese të pushtetit vendor.
Domosdoshmëria e subvencioneve
Hapja e tregut shqiptar ndaj mallrave me origjinë evropiane dhe pamundësia për të eksportuar është një ndër faktorët që ka pasur efekte të ndjeshme në zhvillimin e bujqësisë vendase. Deri më sot asnjë masë parandaluese nuk është marrë nga qeveria dhe institucionet përkatëse për t’i bërë ballë mësymjes së superprodhimit të BE në Shqipëri. Ndërsa politikat e zhvillimit bujqësor kanë mbetur thjesht në formë rekomandimesh të organizatave ndërkombëtare. Gjendja e mjerueshme e këtij sektori ka gjetur si të vetmin ngushëllim që në programin e çdo qeverie të përdoret shprehja: “Bujqësia është një sektor shumë i rëndësishëm i ekonomisë së vendit”, ndërsa angazhimi dhe fondet reale të vëna në dispozicion kanë rezultuar të papërfillshme. Krahasuar me vendet fqinje të rajonit, Shqipëria përbën ndoshta të vetmin rast që nuk është zbatuar asnjë formë e mirëfilltë subvencioni, në një kohë që përveç vendeve të BE, edhe vende si Maqedonia, Mali i Zi etj., zbatojnë skema të qëndrueshme mbështetjeje për fermerët vendas.
Bashkimi Evropian ka në qendër të politikave ekonomike edhe subvencionet për bujqësinë. Si rrjedhojë edhe një pjesë e rëndësishme e fasadës elektorale të vendeve anëtare lidhet pikërisht me sektorin bujqësor. Por, në Shqipëri, politikat bujqësore nuk kanë një rol aktiv e as elektoral.
Bujqësia, në fakt, përbën 24% të PBB shqiptare, punëson rreth 50% të popullsisë dhe ushqen direkt po kaq miliona njerëz brenda kufijve territorialë. Siç argumentojnë ekspertët, që prej vitit 2000, kur Shqipëria u bë anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë, qeveria shqiptare nuk ka hartuar asnjë politikë të mirëfilltë për subvencionimin e sektorit bujqësor, pavarësisht nga marzhi prej 5% që i lejonte marrëveshja e nënshkruar me Organizatën Botërore të Tregtisë. Kjo ndodh në një kohë kur shtete të tilla si Italia dhe Greqia - të cilat zënë pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore me Shqipërinë - e subvencionojnë sektorin bujqësor me rreth 50% të të ardhurave bruto që burojnë prej tij.
Qeveritë shqiptare, duke theksuar në programet e tyre afatshkurtra e afatmesme se “bujqësia është dhe do të jete një sektor prioritar për zhvillimin ekonomik e social të vendit” për faktin se ai punëson rreth 50% të popullsisë me të ardhura mesatare jo më të mëdha se 2000 euro në vit për familje, (të ardhura që në shtetet fqinje përdoren për mirëqenien e kafshëve shtëpiake), kanë hartuar e me pas zbatuar disa strategji të shkëputura. Në fakt, asnjë masë e atypëratyshme subvencioni nuk mund të konsiderohet e plotë, për sa kohë nuk ekziston një strukturë gjithëpërfshirëse për të mbështetur prodhimin në mënyrë të orientuar, në mënyrë që t’i ofrohet fermerit çfarë të prodhojë. Në këtë pikë, vlen formula e njohur “t’i imponohet fermerit dija e shtetit përmes subvencioneve”. Aktualisht, sipërfaqja mesatare e fermave në Shqipëri është 1,1 ha, çka do të thotë se prodhimi orientohet kryesisht për vetëmbajtje - ndryshe, për ushqim vetjak. Nga ana tjetër, nuk mundësohet penetrimi i mekanikës bujqësore, si traktorë etj, për shkak të ngastrave shumë të vogla, të rrethuara me gardhe. Në këto kushte, nëse shteti do të ofronte subvencion për femrat mbi 20 hektarë, fermerët do të kishin një arsye të fortë për të bashkuar parcelat e tyre, duke i shndërruar në sipërfaqe të mëdha prodhuese.
Një nismë pozitive bujqësore - ndoshta e vetmja e këtij lloji nga qeveria Nano - vendosi një taksë simbolike mbi tokën. Kjo taksë e imponuar nënkuptonte që ata fermerë, që nuk e përdornin tokën e disponuar, u interesonte më shumë ta shisnin apo ta jepnin me qira se sa të paguanin pa marrë përfitime nga ajo. Por aktualisht kjo taksë mblidhet vetëm në rreth 30% të fermerëve. Së fundmi, qeveria Berisha III po diskuton shpronësim të pjesshëm apo të kufizuar të fermerëve që nuk e punojnë tokën, por nisma ka gjasa që të mos funksionojë kurrë, pasi në rastin që merr formë ekzekutive, Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë sa hap e mbyll sytë.
Subvencionet që zbatohen aktualisht janë në një plan horizontal, pra zbatohen njëlloj për të gjithë prodhuesit, ndërkohë që nuk mund të konkurrohet me të gjitha produktet. Në këtë pikë, nuk nevojitet ndonjë studim i hollësishëm. Mjafton të shihet se cilat produkte janë eksportuar gjatë tre viteve të fundit dhe kombinuar me mundësitë gjeografike të kultivimit të tyre, të subvencionohen prodhuesit përkatës. Në këtë mënyrë, fermerët do të ishin të interesuar të ndiqnin orientimin e strukturave shtetërore.