Sandri diskuton me Fevziun mos-heqjen e vizaveNga Antena brenda familjesSandri ishte i çoroditur dje nga puna e vizave. I kishte mbushur mendjen vetes që nuk ishte ndonjë gjë e madhe që do t’u hiqeshin serbëve, malazezve dhe maqedonasve gjashtë muaj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sandri diskuton me Fevziun mos-heqjen e vizaveNga Antena brenda familjesSandri ishte i çoroditur dje nga puna e vizave. I kishte mbushur mendjen vetes që nuk ishte ndonjë gjë e madhe që do t’u hiqeshin serbëve, malazezve dhe maqedonasve gjashtë muaj më parë, por dje e humbi fare. Kishte folur me doktorin që të dielën dhe të hënën të bombardoheshin lajmet me faktin që kjo qeveri do të mundësonte heqjen e vizave për gjashtë muaj dhe ta ilustronte me pamje nga vendet që e kanë këtë shans. Po ç’të shikonte? Serbët festuan gjithë natën dhe në mëngjes shumica e makinave u gdhinë në Lubjanë, Vjenë dhe Budapest. Maqedonasit, po ashtu, mezi pritën orën 12 të natës për t’u gdhirë në Selanik apo Sofje. Malazeztë, po ashtu, mbushën tragetet dhe u nisën drejt Romës.
U konsultua njëherë me Fevziun dhe ai e këshilloi të mos i jepte këto pamje.
- Për mua mos i jep këto, se janë gjëra kot, - i tha Fevziu. - Nuk është e vërtetë që ata kanë qeveri më të mirë se qeveria jonë. Unë i kam takuar ata të gjithë. Ky Gruevski mo burrë është tip koti, hiqet dhe si ekonomist. Harasani është njëqind herë më i mirë se ai. Dhe ky Milo Gjukanoviçi është kot. Le që është marrë gjithë kohën me cigare.
- Qenka si me pas ne Lefter Kokën, - tha Sandri.
- Jo mo burrë, Teri është çun i mirë. Njeri kot mo burrë, se e di unë, e kam takuar kaq herë. Një bixhozxhi koti, nga ata që rrinë e luajnë gjithë ditën në kazino.
- Qenka si Fatos Nano pra!
- Jo mo burrë, se Tosi është serioz, di ca gjëra nga ekonomia. Jo mo, është kot fare, gjithë pushtetin e ka bazuar te familja, vëllai, njerëzit e shtëpisë, si shtet privat mo burrë.
- Po qenka si doktori pastaj, - i tha Sandri.
- Po jo mo burrë, ça doktori, ku i afrohet doktori atij.
- Epo s’ngjaka me ne, ndaj ia paskan heq vizat, - tha Sandri.
- Po jo mo burrë, dhe serbëve ua kanë bërë si koncesion. Se fola unë me Olli Rehn-in herën e fundit, se desha ta marr dhe në emision për këtë punën e vizave, kur tha doktori që kishte folur keq ky Ditmiri, por, në fakt, nuk erdhi, se më tha: “Nuk kam kostum të ri, kam dalë disa herë me këtë kostum në TV, - tha. - Sa të blej të riun, të marr vetë në telefon.” Dhe atëherë më tha që “do t’i bëjmë një tolerim Serbisë, po ju mos u mërzisni, se në korrik do t’ua heqim.”
- Mirë o Fevzo, mirë, po ça t’i themi popullit sot, se ky është popull k… ore, duan të ikin të gjithë? Sidomos e ndjejnë shumë tani që është Viti i Ri, se duan të bredhin të gjithë. Le që këtu, po u hap kufiri, ikin të gjithë, jemi rehat pastaj.
- Po jo mo Sandër, se na e kanë bërë për inat, dëgjo mua. Si ka mundësi që ua kanë hequr serbëve, maqedonasve dhe malaziasve dhe kanë mbetur vetëm dy shtetet shqiptare?!
- Po mo burrë, më erdhi shumë inat, se pashë nga pamjet që po festonin në Tetovë me flamur shqiptar, që ishin liberalizu vizat. Pashë dhe në Ulqin, e njëjta gjë. Dhe në Preshevë, e njëjta gjë. Thashë njëherë t’i marr t’i përdor si pamje që shqiptarët po gëzohen për liberalizmin e vizave, po thashë mos nxehen më shumë.
- Jo mo burrë, mos e bë atë, se është gabim. Se ata janë budallenj, o burrë. Ata gëzohen që do shkojnë në Evropë duke pas kryeministër serb, malazez apo maqedonas. Më mirë njëqind vjet të izoluar këtu dhe në Kosovë sesa në Evropë me kryeministra sllavë.
- Mirë Fevzo, mirë, se ti ke traditë patriotike nga gjyshërit e shumtë, po ky është popull k…, s’është gati për sakrifica të tilla. Dhe ku na goditi, mo burrë, dy miq që kemi unë e ti kryeministra, këtyre të dyve nuk ua heqin vizat. Gjithë të tjerëve ua heqin.
- Hajt o burrë, se s’kanë ç’i duan vizat. Ja, ne që duam të dalim jashtë, kemi viza. Se mos kërkuan viza, e nuk u dhanë. Po doktori e ka kapur mirë këtë çështje që thotë se, “atyre ua heqin, se janë ish-Jugosllavi.”
- Po jo mo burrë, se ish-Jugosllavi është dhe Kosova, po s’ia heqin. Dhe Bosnja po ashtu.
- Nejse Sandër, s’di ç’të them. Duhet pritur kush do shkojë në vend të Olli Rehn-it, se do t’i zëvendësojnë këta komisionarët dhe të flas dhe njëherë me të. Por kam frikë se, po të jetë ky Edi Rama kryetar i opozitës, nuk na i heqin. Duhet ta kishim heq këtë o burrë, se mirë vizat, por po na prish dhe emisionin.
- Mirë Fevzo, mirë. Unë kam hall si t’ia bëj ta harrojnë njerëzit punën e vizave tani, ti do t’u mbushësh mendjen që s’do t’i marrin as në korrik.