E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Berisha-Rama, para mbërritjes së KE-së

Të gjithë sytë, tashmë, janë kthyer nga lëvizjet që do të ndjekë hap pas hapi kryetari i shtetit, Bamir Topi, deri në finalizimin e plotë shtrëngimit të duarve mes dy kundërshtarëve politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama. Pasi Berisha dhe Rama shprehën vullnetin për t’u ulur përballë njëri-tjetrit nën arbitrimin e Presidentit, Bamir Topi tashmë ka nisur ndërmjetësimin e tryezës së përbashkët. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se momenti kyç i uljes në bisedime mes dy liderëve politikë do të zhvillohet pak ditë para mbërritjes në Tiranë të përfaqësuesve të KE-së. Burimet sqarojnë se ky takim do t’i paraprijë pikërisht ardhjes në Tiranë me datën 22 shkurt të përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, të cilët, pasi nxitën dialogun që nga Strasburgu, tashmë do të zbresin në terren për të sjellë zgjidhjet konkrete. Por politika e Tiranës këtë herë ka vendosur të gjejë zgjidhjen pak para momentit të ardhjes së KE-së. Kjo, për faktin se Presidenti Bamir Topi ka nisur kontaktet e tij të para në nivele ekspertësh për përcaktimin e modaliteteve të takimit të shumëpritur, atë mes dy kundërshtarëve politikë, liderit të PD-së, Sali Berisha, dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Sugjerimet do të bëhen nga kreu i shtetit për mënyrën se si do të jetë përballja mes Berishës dhe Ramës dhe në momentet e fundit janë ata që do të vendosin datën dhe orën e shtrëngimit të duarve. Palët kanë shprehur vullnetin për t’u ulur në bisedime, por është z. Rama ai që këmbëngul sërish në hapjen e kutive, gjë të cilën e kundërshtoi edhe Këshilli i Evropës përmes rezolutës së Asamblesë së tij Parlamentare. Sipas Berishës, palët duhet të ulen, rezoluta është shumë e mirë dhe në interesin e Shqipërisë, ndërkohë që ka theksuar se e rëndësishme është që të arrihet sukses nga tryeza. Nga ana e tij, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka nisur përgatitjet për takimin Berisha-Rama, të cilët kanë treguar se dinë të nënshkruajnë marrëveshje historike si ajo për Kodin Zgjedhor, me të cilin u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe që kryetari i PS-së pasi i humbi ato, akuzoi PD-së për manipulim. Gjithsesi, ky hap i Presidentit vjen pas thirrjeve që erdhën nga të dy krahët politikë për zgjidhjen e krizës politikë në vend. Ka qenë fillimisht Kryeministri Sali Berisha që kërkoi të ulej në një tryezë me kreun e opozitës, Edi Rama. Ai ftoi Ramën që të diskutonin hetimin e zgjedhjeve në një tryezë, e shtruar qoftë dhe nga Presidenti Topi, por pa u kërkuar hapja e kutive. Më pas, thirrja për tryezë erdhi nga kampi i majtë nga i cili gjithashtu u kërkua një tryezë me Sali Berishën, por e organizuar nga kreu i shtetit. Por Edi Rama mbron idenë se nuk do të heqë kurrë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive. Me thirrjen e re të Presidentit, tani do të jenë forcat politike kryesore që duhet të dëshmojnë vullnetin e tyre për bisedime për zgjidhjen e ngërçit politik që vazhdon prej muajsh, pas bojkotit që e majta po i bën Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›