Genc Uruçi: Do të zbus përqindjen e papunësisë në qytet
Cilat do të jenë prioritet tuaja në këtë mandat?
Prioritetet tona në fushatën elektorale kanë të bëjnë me probleme të prekshme të jetës së përditshme, me hallet dhe shqetësimet që hasin çdo ditë. Kryesore është papunësia, e cila përbën një rekord në shkallë kombëtare. Ndotja e mjedisit, aq alarmante, është prezent çdo ditë në frymëmarrjen e bashkëqytetarëve të mi. Tymi kanceroz që mbulon qytetin nga djegia e mbeturinave, është pa dyshim shfaqja më alarmante e babëzisë së pushtetit lokal për vjedhjen e qytetarëve . I domosdoshëm është dhe përmirësimi i ambientit të ndotur në bregun e liqenit, ku veç sasisë kolosale të plastmasëve në të gjithë bregun, edhe e vetmja shëtitore tek ura e Bunës, në rrugën e molos, kalon paralel me kanalin kryesor të ujërave të zeza. Këto si dhe shumë të tjera që lidhen me sasinë e cilësinë e investimeve në qytet, klimës së besimit te bizneset, kthimi i vlerave kulturore dhe artistike të qytetit, mbrojtja e monumenteve të kulturës që po shkatërrohen, janë në axhendën tonë, me mendësi e projekte të qarta. Mund të përmendim nënvlerësimin absolut të muzeut Marubi, me vlera europiane, i cili është hedhur në një qoshe me sipërfaqe minimale dhe pa respektin që meriton .
Na citoni projektet më të rëndësishme
Pesë projektet me të rëndësishme që do të marrin rrugën e zbatimit me ndërrimin e qeverisjes lokale do të jenë: Së pari, punësimi. Me qëllim që të largohet qyteti ynë nga renditja me dyfishin e të papunëve nga mesatarja e vendit, do të orientojmë kapacitetet tona në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi. Për këtë qëllim do të rrisim me të gjitha mundësitë numrin e të punësuarve nëpërmjet shtimit të vendeve të punës nga rritja e sipërfaqeve të gjelbra, shtimit të linjave të transportit publik dhe shtimit të gamës së shërbimeve sociale, si dhe do të përqendrohemi në rritjen e klimës së besimit tek investitorët vendas dhe të huaj, duke u ofruar shanse për sukses në biznesin e tyre brenda resurseve aq të pranishme në bashkinë tonë, si fuqi punëtore të kualifikuar dhe hapësira në turizmin e liqenit dhe të lumenjve tanë si dhe turizëm kulturor. Së dyti, me një studim të plotë të kodrave të qytetit nga Draçini deri te kodra e kalasë Rozafa do të vëmë në dispozicion të qytetareve blloqe vilash, hapësira të gjelbra dhe hapësira për ambiente sportive. Së treti, me një studim të plotë do të vëmë në dispozicion të qytetarëve hapësira banimi dhe sipërfaqe të gjelbra si dhe hapësira për ambiente sportive në pjesën e Taraboshit nga ura e vjetër e Bunës deri mbas ish-ndërmarrjes së vjetër të peshkimit. Së katërti, gjatë mandatit tonë do të përfundojmë realisht ose do të zgjidhim përfundimisht një problem që nga qeverisja e PD-së ka mbetur vetëm premtim elektoral, pra problemin e furnizimit me ujë të pijshëm me shtrirje horizontale dhe vertikale në të gjithë territorin e qytetit tonë. Së pesti, do të largojmë prezencën e ujërave të zeza nga shtëpitë e bujqve në Kiras , në lagjen Mark Lula etj. dhe deri te shëtitorja e rrugës së Molos për dy vjet të mandatit tonë.
Si do t’i jepni zgjidhje problemit të trafikut, infrastrukturës, plehrave dhe gjelbërimit në qytet?
Për sa i përket trafikut, do të rrisim linjat e transportit urban në Unazën ekzistuese dhe në aksin Kiras-Ura e Thive, gjithashtu për zgjidhjen e parkingut në qytet do të projektojmë parking nëntokësor në sheshin e Parucës dhe do të shfrytëzojmë cilësisht dhe hapësirat e tjera në qytet. Për problemin e ambientit, brenda tre muajsh do të largojmë depozitën e plehrave nga ambienti pranë “Varrezave të Dëshmorëve”, duke larguar prezencën e tymrave me dioksinë nga qyteti ynë dhe nga ndotja me elementë kancerozë në të gjithë basenet ujëmbajtëse që lagin territorin e qytetit tonë. Për sa i përket gjelbërimit, mund të themi se sipërfaqet brenda qytetit pothuajse janë betonizuar dhe, siç thashë më sipër, do orientojmë këto sipërfaqe të gjelbra në ambientet në kodrat rreth qytetit.
Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit tuaj?
E vetmja pikë e fortë që ka kundërshtari është mbështetja nga një grup militantësh profesionistë ekstremistë të PD-së, nga administrata e politizuar e kësaj force politike dhe nga lekët e korrupsionit 20-vjeçar të pushtetit vendor blu.
A do të pranonit të bënit debat në televizion me kundërshtarin tuaj?
Sigurisht që pranoj të bëj debat me këdo për problemet e qytetit tim.
Ju keni qenë një kandidaturë e kontestueshme. A mendoni se një gjë e tillë mund t’ju penalizojë, pasi nuk keni mbështetjen e vetë socialistëve?
Nuk kam qenë për asnjë moment kandidaturë e kontestueshme , jam i propozuar me unanimitetin absolut të asamblesë së qytetit, jam i votuar me shumicë para disa muajsh si kryetar i Partisë Socialiste të Rrethit dhe jam shumë i motivuar për të kandiduar. Kontestimi për të cilin ju shpreheni ka lidhje me listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiak, ku një grup prej 5 vetash, që me të drejtë kanë aspiruar të jenë pjesë e listës, pas vendimit të organit vendimmarrës që është këshilli koordinativ i qarkut i PS-së nuk kanë qenë dakord, por rruga e ndjekur prej tyre nuk ka qenë statuore. Unë e konsideroj normal kontestimin dhe gjithashtu deklaroj që asambleja e qytetit po mbështet fuqishëm fushatën elektorale. Këtë e keni shumë kollaj ta konstatoni edhe me ndihmën e informacioneve mediatike.