E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaraj: Rama po bllokon numërimin në njësinë 8

TIRANË Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, denoncoi mbrëmë vonë bllokimin e procesit të numërimit të votave në KZAZ nr.52, që i përket njësisë nr.8 në kryeqytet. Mustafaraj akuzoi komisionerët e majtë se po bllokojnë qëllimisht procesin, vetëm se nuk duan të pranojnë rezultatin. “Partia Demokratike kërkon të bëjë publike bllokimin e procesit të numërimit të votave në KZAZ 52, që i përket njësisë bashkiake nr.8 në kryeqytet. Partia Demokratike është e vendosur të sigurojë numërimin e çdo vote, në mënyrë ligjore dhe transparente, brenda një kohe sa më të shkurtër, për t’i dhënë zë vullnetit të qytetarëve. Ata që kërkojnë të bllokojnë ose ngadalësojnë procesin, po shkelin mbi vullnetin e qytetarëve, për shkak të frikës nga rezultati. Fatkeqësisht, bllokimi i sotëm është fokusuar në minibashkinë nr.8!”, - tha Mustafaraj. Sipas saj, në të gjitha KZAZ-të e tjera të kryeqytetit janë numëruar mesatarisht rreth 26 kuti për minibashkinë. Ndërsa në KZAZ nr.52, që i përket njësisë bashkiake nr.8 të Tiranës, janë numëruar vetëm 3 të tilla. “Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës, të heqë dorë nga bllokimi i procesit të numërimit dhe të mos të ketë frikë të përballet me verdiktin e qytetarëve të Tiranës”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›