E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Socialistët të hyjnë në Parlament

Reagon Imeraj

Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi dje Partisë Socialiste që të hyjë në Kuvend, ndërsa vlerësoi se dialogu politik në institucionet legjitime të vendit janë një hap i domosdoshëm për zgjidhjen dhe kapërcimin e krizës. Sekretari për marrëdhëniet me mediat në këtë parti, Luan Rama e ftoi Partinë Socialiste të distancohet nga gjuha destruktive dhe tonet kërcënuese për marrjen e pushtetit me dhunë, ç’ka nuk ka qenë në natyrën e saj, dhe të zërë vendin që i takon në Kuvendin e Shqipërisë si një opozitë civile dhe europiane. Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, e cila vlerësoi se hapja e kutive do të tregojë se Meta i ka vjedhur një mandat PS-së. 
Nga ana tjetër, Luan Rama theksoi se përmes dialogut politik në Kuvend “do të gjejmë së bashku zgjidhjen më të mirë të mundshme, dhe kështu do të kontribuojmë realisht edhe për liberalizimin e vizave dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptare në Bashkimin Europian, por edhe për realizimin e të gjithë reformave të rëndësishme në funksion të anëtarësimit të vendit në BE”. Por sipas selisë rozë, hapja e kutive demaskon të vërtetën e mandatit të Metës. “Por, të vërtetës as nuk mund t’i fshihesh dhe as nuk mund t’i shpëtosh me kërcënime apo diversion. E vërteta ka dalë në shesh, Ilir Meta i trembet hapjes së kutive pasi ai ka frikë se zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit, do të nxjerrë në pah faktin se mandati i Ilir Metës në Tiranë, është mandat i vjedhur nga Partia Socialiste. Kjo është e vërteta, ky është pazari i ulët i Ilir Metës dhe Sali Berishës”, tha Imeraj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›