E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, hetim për dy punonjës të sigurimeve

Denoncimet

Dy punonjës të sigurimeve shoqërore në Tiranë janë dërguar për ndjekje penale, pasi dyshohen se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kanë ndihmuar dy persona për të përfituar pension të paligjshëm. Gjithashtu, policia ka dërguar për ndjekje penale edhe përfituesit. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë bënë të ditur se nga seksioni kundër korrupsionit filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Elisabeta S., punonjëse e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë. 56-vjeçarja, e cila dyshohet edhe për çështje të tjera penale, mendohet se ka ndihmuar Lulëzime A., banuese në Zall-Herr, për të përfituar pension të paligjshëm. Sipas të dhënave, për ndjekje penale është dërguar edhe Lulëzime A., pasi në bashkëpunim dyshohen se kanë falsifikuar dokumentet, duke përfituar pension. Gjithashtu, për ndjekje penale në gjendje të lirë janë dërguar edhe Shefqet M., 52 vjeç, punonjës i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë dhe Osman H., 65 vjeç. Këta dy persona në bashkëpunim dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet, duke përfituar pension 65-vjeçari. Policia tha se dy të dyshuarit e sigurimeve shoqërore po hetohen edhe për raste të tjera.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›