E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gjithçka për standartet më të mira mjedisore

Kryeministri Berisha ka garantuar sot se qeveria do të bëjë gjithçka për të garantuar standartet më të mira mjedisore. Duke folur në konferencën rajonale të politikave shëndetësore të organizuar nga OBSH-ja, shefi i ekzekutivit theksoi se cilësia e shërbimit në shëndetësi është primare.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka për standartet më të mira mjedisore. Dhe ju jeni pa diskutim zëri i parë që duhet të ngriheni në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Jana bërë arritje shumë të mëdha në reforma. Një nga arritjet më të mëdha është rënia e vdekshmëri foshnjore dhe ne do të bëjmë përpjekje që kjo të ulet edhe më tej.Të bëhemi promotorë kryesorë të një përballje shumëplanëshe të problemit të shëndetit në vendin tonë. Asgjë nuk ka më të rëndësishme sesa parandalimi, kemi vendosur sistem të shkëlqyer imunizimi dhe duhet të bëjmë gjithçka që ai të mbetet nga sistemet më të mira në Evropë” theksoi Berisha.

Sipas tij, problemi ynë kryesor në shëndetësi ka qenë menaxhimi, ndaj në këtë pikë duhet punuar fuqishëm.  “Erdhëm nga një sistem dizastër në këtë plan, pa menaxhim nuk ka sukses. Janë bërë disa hapa përpara të rëndësishëm, dekani i ri më dërgon një projekt për të hapur degë apo fakultet për menaxhimin shëndetësor, e mbështes plotësisht. Nuk përballohen nevojat duke rritur gjithnjë buxhetin, ato përballohen duke shfrytëzuar në mënyrën më racionale fondet e disponueshme, kërkohet plejadë e re menaxherësh”- tha ai.

Sipas tij, politikat shëndetësore duhet të jenë në përputhje me orientimet e OBSH-së dhe në shërbim dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. “Nuk kam mëdyshje se beteja e njeriut për shëndetin e tij, për luftën kundër sëmundjes që për njeriun e lirë përbën armikun më të rrezikshëm, është beteja më fisnike, më përcaktuese në të gjithë performancën dhe aspektet në rrjedhën e jetës së tij. Shëndeti si i tillë është aq sa biologjik aq social, ekonomik, politik. Do mund të promovohet në nivelin e duhur vetëm atëherë kur ne ta trajtojmë në mënyrë multidisiplinor” shtoi Berisha.

Drejtoresha e OBSH-së Suzana Jakab gjatë fjalës së saj vlerësoi se shëndeti mendor përbën kërcënim për rajonin, ndërkohë që vlerësoi politikat e vaksinimit në Shqipëri. Sipas saj Shqipëria duhet të merret si shembull nga vendet e tjera të rajonit përsa i përket vaksinimit por shtoi se duhet hartuar një strategji edhe për shëndetin mendor.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›