E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Sulme barbare ndaj Ina Ramës dhe Prokurorisë

Rama në Austri

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se qeveria po bën presion për të penguar Prokurorinë e Përgjithshme të zbardhë ngjarjet e 21 janarit. Kreu i opozitës i ka cilësuar si barbare sulmet e maxhorancës ndaj kryeprokurores Ina Rama. Në forumin e debatit të organizuar në Vjenë, EU-Betueen Me and You, Rama i është përgjigjur dhe interesimit të të pranishmëve për ekspertizën e FBI-së për katër vrasjet e ndodhura janarin e vitit të shkuar. Komandanti i Gardës, sipas Ramës, nuk ka zbatuar ligjin dhe është shkaktar për vrasjen, pasi ka tentuar të fshehë provat e krimit. Nëse paskan zbatuar ligjin, pse ndërrojnë tytat?! Pse i fshijnë provat në serverin e Kryeministrisë?! Dhe pse pengojnë në mënyrë konstante hetimin duke bërë presione barbare ndaj Prokurorisë dhe personalisht ndaj prokurores së Përgjithshme?!, u shpreh Rama.
Angazhimi
Kreu i opozitës, para panelit të të ftuarve, ka paraqitur vizionin e Partisë Socialiste për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Angazhimi i socialistëve, sipas Ramës, është krijimi i të gjitha kushteve dhe mundësive që Drejtësia, sistemi gjyqësor dhe Prokuroria të kenë mundësi të bëjnë punën e tyre si institucione të pavarura. Në radhë të parë duke qeverisur në mënyrë të drejtë, duke mos e përdorur fuqinë e pushtetit për të bërë padrejtësi, për të tjetërsuar pasuri kombëtare në funksion të njerëzve të qeverisë apo të klientëve të qeverisë, për të tjetërsuar prona që u takojnë qytetarëve në funksion të ortakëve në biznes të pushtetarëve për ta trajtuar qeverinë si një pronë dhe si një oborr ku çdo gjë është e mundur, por për shqiptarët jashtë oborrit çdo gjë është e pamundur. Ky është vizioni im.
Çështja e pronave
Çështja e pronave ka qenë një nga pikat ku shefi i opozitës është ndalur, duke rikonfirmuar se në programin e PS-së për Një Rilindje Shqiptare, për Partinë Socialiste nuk ka ish-pronarë, por vetëm pronarë të ligjshëm. Ne jemi shprehur shumë qartë për zgjidhjen e problemit të pronës, duke filluar që nga fakti se ne nuk i konsiderojmë ish-pronarë, por pronarë. Vetë koncepti ish-pronarë është një koncept që për ne i takon së shkuarës. Ne jemi angazhuar solemnisht për zgjidhjen e problemit të pronës, sepse problemi i pronës dhe zgjidhja e tij nuk është as e majtë, as e djathtë, por është një çështje që lidhet me drejtësinë, mbi të cilën duhet të ngrihet e gjithë bashkëjetesa shoqërore, pohoi Rama.

Kurbani
Kryetari i Partisë Socialiste ka promovuar në Vjenë, librin e tij Kurban. Shumë shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Austrisë, si dhe një numër i konsiderueshëm të ftuarish austriakë, janë mbledhur në House of the European Union për të marrë pjesë në debatin EU-Betueen Me and You. Pas përfundimit të diskutimeve krysocialisti Rama, ka shfrytëzuar rastin për të autografuar librin Kuran, për emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Austri.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›