E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Takimi Berisha-Nano, sështë gjë e re

Kryetari i Partisë Socialiste është munduar të mos komentojë dje takimin e bërë disa ditë më parë në Vjenë mes paraardhësit të tij në PS dhe Kryeministrit Sali Berisha, por nuk i ka qëndruar dot tundimit pa bërë ironi. Vetëm ju për arsye të shitjes së lajmit dhe gazetës mund të gjeni diçka të re në këtë, për mua nuk ka asnjë gjë të re, - u tha Rama dje gazetarëve që e pyetën për këtë takim. Ndërsa lidhur me kontradiktën që shfaq një takim i tillë përballë mosmarrëveshjeve të forta mes PS-së e mazhorancës, Rama shtoi se është shprehje e faktit që në Vjenë nuk ka krizë. Rama erdhi në krye të partisë si pasojë e një dorëheqjeje të vullnetshme të Nanos në vitin 2005 pas humbjes së zgjedhjeve dhe e ka sulmuar atë në mënyrë të vazhdueshme që kur i mori partinë. Kreu i PS-së doli dje në konferencë për shtyp për të komentuar pikërisht konferencën e mbajtur nga Kryeministri Berisha, i sapokthyer nga Brukseli, ku dorëzoi përgjigjet e pyetësorit për të marrë statusin e vendit kandidat. Rama i quajti pa baza deklaratat e shefit të qeverisë për ekonominë dhe papunësinë. Zoti Berisha foli për suksese imagjinare pikërisht në ditën kur u provua publikisht se vetëm në tre muajt e fundit 71 mijë vetë kanë humbur vendin e tyre të punës. 80 mijë vende pune premtoi zoti Berisha kur kërkoi votën e shqiptarëve dhe pasi u grabiti votën, ka nxjerrë në rrugën e papunësisë mbi 100 mijë njerëz në më pak se një vit, - tha dje Rama. Madje ai hodhi aludime për shtyrjen e afatit të liberalizimit të vizave dhe pse tashmë zyrtarë të lartë të Brukselit kanë përmendur qershorin si afatin kohor më të mundshëm. Ndërsa për protestën e 30 prillit, Rama ka paralajmëruar një protestë pa fund, duke e quajtur më të gjatën. Siç duket, PS po përgatitet të qëndrojë non stop në shesh më shumë se në nëntor kur e bëri këtë për dy net e tri ditë me disa qindra vetë. Shfaqja shqetësuese e zotit Berisha mbrëmë është një arsye më shumë për të dalë më 30 prill e më 1 maj në protestën më të gjatë e më të madhe që një popull mund të bëjë për të ndalur rrënimin e provokuar nga qeveria e vet, - tha kreu i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›