Komisioni i Ekonomisë: Privatizim ose taksë 10% për tokat shtetërore në përdorim
Projektligji Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror ishte dje objekt diskutimi dhe në Komisionin e Ekonomisë. Deputetët e këtij komisioni ishin parimisht dakord për miratimin e tij edhe pse kishin rezerva për atë nen të draftit i cili parashikon faljen e qirasë me hyrjen në fuqi të projektligjit apo dhe lehtësime për ato raste kur prona privatizohet brenda 12 muajve. Drejtoresha Juridike në Ministrinë e Financave, Lindita Rusmali, sqaroi se janë evidentuar rreth 13 mijë individë të cilët i prek ky draft të cilët me lehtësimet e bëra nxiten edhe për privatizimin të truallit shtetëror. Ajo pohoi se drafti prek ato procese të zhvilluara në vitet 1991, 1992, por sot që flasim, këta individë nuk paguajnë as qiranë. Deputeti i LSI-së, Lefter Koka, pohoi se do të krijohet problem për qindra banesa për të cilat nuk është e zgjidhur çështja me pronarët. Por Rusmali sqaroi se ata nuk janë objekt i draftit. Deputeti demokrat Florian Mima ngriti si shqetësim faktin se kjo taksë e vendosur do të vilet nga drejtoritë rajonale të tatimeve. Sipas tij, këto struktura do të rëndohen edhe më tej në punën e tyre, prandaj propozoi që ti lihet kompetencë Ministrisë së Financave dhe më pas ajo të caktojë drejtorinë përkatëse. Kjo gjë nuk u pranua. Pas diskutimeve u ra dakord të ndryshojë edhe titulli i ligjit, duke i dhënë prioritet tashmë jo taksimit, por privatizimit të truallit shtetëror. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, e shpjegoi këtë pikërisht me faktin se individët që taksohen në këtë mënyrë, do të kenë më shumë interes ta blejnë atë. Me ndryshimet e bëra titulli i projektligjit, i cili u miratua dhe nen për nen në komision, është Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror dhe në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij. Në bazë të këtij projektligji, të gjithë ata persona që kanë ndërtuar mbi tokë shtetërore dhe kanë marrë pronësinë e ndërtesës, por jo të tokës, mund ta privatizojnë këtë të fundit me kushte lehtësuese ose në të kundërt do të paguajnë një taksë prej 10% të vlerës së tokës në vit. Sipas draftit, personat që aplikojnë për privatizim brenda 6 muajsh, mund të paguajnë deri në 20% të vlerës me bono thesari. Vlera e tokës do të përcaktohet mbi çmimet e referencës të vendosura nga qeveria. Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi dhe miratoi në mbledhjen e sotme edhe projektligjin Për disa shtesa në ligjin nr. 8691, datë 16.11.2000 Për prodhimin dhe tregtimin e duhanit dhe të cigareve, të ndryshuar.