E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, kërkesë Marokut: Njih pavarësinë e Kosovës

Qeveria shqiptare i kërkon shtetit të Marokut që të njohë pavarësinë e Kosovës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në takimin që zhvilloi dje me ministren e Shtetit për Punët e Jashtme të Marokut, Latifa Akharbach, kërkoi mbështetjen e vendit të saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryetarja e Kuvendit tha se Kosova është një rast unik. "Pavarësia e Kosovës është garancia e stabilitetit, paqes dhe e proceseve integruese të rajonit në Perëndim". Më tej, biseda u ndal në bashkëpunimin mes dy vendeve duke qenë se Maroku gëzon statusin e vendit aspirant për BE. Me ftesë të zv.ministres së Punëve të Jashtme, znj. Edith Harxhi, mbërriti për një vizitë zyrtare në Tiranë Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Marokut, znj. Latifa Akharbach. Gjatë takimit, palës marokene iu kërkua njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, znj. Harxhi nënvizoi se procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës është shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin e më gjerë. Znj. Harxhi dhe znj. Akharbach vlerësuan marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin për zgjerimin e tyre të mëtejshëm si në nivelin politik ashtu edhe në fushat e shkëmbimeve tregtare, doganave, të turizmit, bujqësisë etj. Në këtë kuadër, u nënvizua nevoja e nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike midis dy vendeve. Të dyja palët theksuan nevojën e zhvillimit të konsultimeve për çështjet dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe të forcimit të bashkëpunimit në kuadër të nismave rajonale dhe ndërkombëtare. Në përfundim të takimit, znj. Harxhi transmetoi ftesën në emër të zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, z. Ilir Meta, për një vizitë zyrtare në Tiranë të ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Marokut, z. Taïb Fassi-Fihri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›