E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë në gjimnaz, PS politizon shkollat e mesme

Protestat e iniciuara nga PS-ja në të gjithë vendin, duke i shfaqur tek publiku si organizime të banorëve për arsye të ndryshme jetike, dje ka marrë një përmasë të jashtëligjshme duke politizuar arsimin. Deputetët e PS-së së zonës së Elbasanit kanë ngritur në protestë një grup nxënësish në shkollën e mesme në Papër të Elbasanit, në një shembull të paprecedentë të politizimit të arsimit të mesëm. Siç njofton zyra e shtypit pranë PS-së, për dy ditë rresht nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme në Papër të rrethit Elbasan kanë ndërprerë mësimin dhe kanë protestuar kundër vendimit të Drejtorisë Arsimore të Rrethit Elbasan. Sipas kësaj partie, protesta merr shkas nga vendimi i drejtorisë së shkollës që ka shkarkuar nga detyra nëndrejtoreshën e shkollës, Anife Bullari, një nga mësueset më të vjetra në këtë shkollë dhe me përvojë të gjatë drejtimi. Sipas selisë rozë, në vend të saj ka ardhur një zëvendësues, militant i PD-së. Në protestën e nxënësve ishte i pranishëm deputeti i Partisë Socialiste, Agim Leka, që si për ironi ka kërkuar që të mos politizohej shkolla. Gjatë fjalës së tij, deputeti socialist u shpreh se ky shkarkim ishte një lëvizje për motive politike dhe se nxënësit kanë të drejtë të protestojnë. Tani shkolla është e politizuar më shumë se asnjëherë. Pushteti vazhdon kërcënimin e mësuesve jo vetëm në këtë shkollë, por kudo në Elbasan, duke luajtur me vendin e punës së tyre. Edhe sot në këtë shkollë duket sheshit se nxënësit janë të frikësuar nga mësuesit partiakë të PD-së, ka përfunduar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›