E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të mbrohet mjedisi

Tiranë -Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka kërkuar nga qeveria që të shmangë situatën monopol në tregun e hidrokarbureve. Gjatë një takimi me përfaqësuesit e Shoqatës së Tregtarëve të Hidrokarbureve, kreu socialist theksoi se qeveria shqiptare duhet të marrë masa, për të mbrojtur ambientin dhe mushkëritë e shqiptarëve, ndërsa me këtë vendim, po ndodh e kundërta.

“Kryeministri thotë se do të mbroj mushkëritë e shqiptarëve. E përshëndes edhe unë, edhe ju dhe çdo kush tjetër është i dëshiruar që mushkëritë e shqiptarëve të mbrohen. Por, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se mushkëritë e shqiptarëve nuk mbrohen nga helmi i naftës D2 që vjen nga Evropa, duke ju futur helmin e naftës D2 që prodhohet në vend. Kështu që, në këtë pikë, Kryeministri duhet të marrë masat e menjëhershme që kjo situatë të hyjë në binarët ku e kërkon standardi i standardeve, që të mos kemi dy standarde”-theksoi Rama gjatë takimit.

Gjatë diskutimit, u nënvizua se Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës e ka trajtuar paraprakisht këtë çështje dhe ka arritur në konkluzionin se qeveria duhet të tërhiqet nga një vendim, i cili cenon konkurrencën dhe kërcënon shumë nga operatorët që janë në treg falë konkurrencës së garantuar prej shumë vitesh.

Qeveria ka vendosur që edhe gjatë këtij viti të përdoret në vend, nafta e tipit D2, por ky vendim është marrë vetëm për kompaninë shqiptare të naftës ARMO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›