E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të premten protestë paqësore, homazh për viktimat

25/01/2011  Shmang komentet mbi takimin me Topin

Kryetari i Partisë Edi Rama menjëherë pas daljes nga takimi me Presidentin ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka lajmëruar dhe një herë protestën, këtë herë paqësore të 28 majit. Me gjithë interesimin e medies për të mësuar rreth detajeve të këtij takimi, Rama është mjaftuar me leximin e deklaratës së radhës, duke lajmëruar një protestë që ishte anonçuar dhe një ditë më parë. Gjithsesi, pavarësisht retorikës së ashpër në adresë të kryeministrit, Rama siguroi se protesta e ditës së premte nuk do të jetë e dhunshme si ajo e disa ditëve më parë, por protestë-homazh në kujtim të viktimave. “Më 28 janar demonstrata-homazh do të dëshmojë me dinjitet kombëtar dhe qytetari europiane para mbarë botës, e cila na sheh këto ditë të rënda prej objektivit të kamerave të të gjitha stacioneve televizive të planetit, se një popull i tërë mes Europës vritet, plagoset, rrihet, arrestohet, dhunohet psikologjikisht për të ulur kokën e pranuar një mbretëri të pashpallur kusarësh e matrapazësh”, - tha Rama. Nga ana tjetër, kreu i PS-së nuk ngurroi të përmendë dhe një herë se sulmi ndaj kryeprokurores së përgjithshme dhe SHISH-it nuk ishte gjë tjetër vetëm se presion i paligjshëm i maxhorancës. Duke i kujtuar dhe një herë vendlindjen kryeministrit, Rama u shpreh: “Retorika fashiste e Saliut ndaj opozitës nuk çudit askënd dhe nuk tremb as pulat në Viçidol, jo më popullin opozitar. Ndërsa retorika fashiste e presioni i paligjshëm ndaj institucioneve të Prokurorisë së Përgjithshme e SHISH-it që ky satrap i marrë e i marrëfund nuk ka arritur dot ti fusë nën sqetullën e qelbur të regjimit të kusarisë, për të përndjekur pastaj çdo qelizë opozitarizmi në Shqipëri, si dhe kërcënimet mafioze në kor për prokuroren e përgjithshme, tregojnë se sa e drejtë është beteja jonë për shpëtimin e demokracisë në Shqipëri dhe sa të fuqishme janë arsyet që të premten e 28 janarit demonstrata homazh të dëshmojë papërkulshmërinë tonë në këtë betejë.” Gjithsesi, Rama nga ana e tij ka tërhequr sërish vëmendjen e ndërkombëtarëve kur tha se BE smund ta shohë qeverinë si demokratike, kur refuzohen urdhrat e organit të drejtësisë. “Kur Policia e Shtetit nuk u përgjigjet kërkesave detyruese të organeve të drejtësisë po urdhrave të pushtetit, vendi nuk është në demokraci, po nën një regjim që bota demokratike nuk mund ta njohë si mik e partner, Europa e Bashkuar nuk mund ta pranojë si një qeveri demokratike, populli nuk mund ta mbajë në kurriz si një fakt të kryer me pushkët e Gardës Republikane”, - tha kryesocialisti Rama menjëherë pas takimit me kreun e shtetit.

Takimi me kren e PS-së Edi Rama

Ndërkombëtarët kërkojnë të dinë cili do të jetë qëndrimi i opozitës në vazhdim

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka pritur dje pasdite në një takim të veçantë ambasadorët e BE-së të akredituar në vendin tonë si dhe ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu. Në ditët e mëparshme trojka evropiane dhe ambasadori amerikan kanë zhvilluar takime dhe me Presidentin e Republikës dhe kryeministrin Sali Berisha, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre pas protestës së dhunshme të 21 janarit. Nga ana e PS-së nuk ka pasur një deklaratë zyrtare se çfarë është biseduar mes ambasadorëve dhe kreut të PS-së, por burime nga kjo parti thanë për “Metropol” se ambasadorët kanë këmbëngulur të dinë se cili do të jetë qëndrimi i PS-së në vazhdim. Duhet theksuar se edhe para demonstratës diplomacia botërore bëri thirrje që partitë politike të qëndronin larg akteve të dhunës, një apel i cili nuk gjeti zbatim në atë demonstratë. Nga ana tjetër, jo pak herë është përmendur që për të zgjidhur problemet duhet gjetur një gjuhë kompromisi mes palëve, pasi dhuna dhe retorika e ashpër nuk të çojnë askund. Gjithsesi, ndërkombëtarët dhe komuniteti ndërkombëtar pritet që dhe në ditët në vazhdim të vazhdojnë negociatat me partitë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›