Ekspertët e ODIHR, sot takime me anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore
Sot mbërrin në Tiranë një ekip ekspertësh nga OSBE/ODIHR për administrimin e zgjedhjeve. Ekipi, i përbërë nga dy anëtarë, do të zhvillojë takime të posaçme me ekspertë dhe anëtarë të Komisionit për Reformën Zgjedhore. Në tryezën e bisedimeve do të diskutohet për administrimin e zgjedhjeve dhe votimin elektronik. Deri më tani Komisioni për Reformën Zgjedhore ka zbatuar 22 nga 52 rekomandimet që OSB/ODIHR i ka kërkuar politikës shqiptare.
Kume: Amendimet e kryera deri tani, janë cilësore – Kodi është në rrugën e duhur/Tejkalimi i afateve për mbylljen e reformës zgjedhore nuk do të thotë as dështim dhe as bllokim i saj. Eksperti i reformës zgjedhore Kristaq Kume, argumenton se pritej që ligji i ri elektoral të tejkalonte afatet që Parlamenti i vuri komisionit për hartimin e tij, pasi është hera e parë që reforma shihet në thellësi, janë marrë parasysh mendimet e ekspertëve dhe volumi është shumë herë më i lartë nga komisionet paraardhëse. “Nuk është se jemi në një situatë bllokuese. Institucioni punon, komisioni është në punë. Mbështetësit e këtij komisioni, pra pjesa teknike e komisionit po ashtu është në punë. Le të kujtojmë gjithashtu edhe faktin që metodologjia që po përdoret kësaj radhe nga Parlamenti i Shqipërisë për të realizuar reformën zgjedhore të radhës, është një metodologji gjithëpërfshirëse, gjë që ka kërkuar kohë dhe volum më të madh pune”- u shpreh Kume. Por gjithsesi, ish kryetari i KQZ, Kristaq Kume thotë se për komisionin tani nis sfida kur do të duhet të hyjë në atë që ai e quan zona e nxehtë. Administrimi i zgjedhjeve është një nga çështjet më të rëndësishme që do të duhet vullnet politik për të mos krijuar ngërçe dhe bllokime gjatë diskutimit të kësaj çështje. “Akoma Komisioni nuk ka hyrë në zonën e nxehtë, si p.sh., nuk ka filluar të trajtohet akoma problemi si do të administrohet procesi zgjedhor i 2013-ës. Këto janë probleme që vërtetë kërkojnë kohë dhe vullnet të shprehur politik për zgjidhjen”- tha ai. Komisioni i reformës zgjedhore ka shqyrtuar 22 nga 52 rekomandime të OSBE-ODHIR për zgjedhjet, ndërsa afati kohor i tij ka qenë deri në fundin e muajit shkurt. PS akuzoi këtë javë demokratët për bllokim të reformës, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën se alarmi i socialistëve nuk është i vërtetë pasi puna në komision vijon.