Rama: Territori në gjendje emergjence. Do ta trajtojmë si gjendje të jashtëzakonshme
Në ditën e parë të konferencës Shqipëria e Gjeneratës së Re, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama e cilësoi gjendjen e territorit si alarmante, e duke vënë në dukje se kjo situatë do të trajtohet nga maxhoranca e re si një emergjencë kombëtare.
Deklarata
Në fjalën e tij, Rama tha se qeveria e re do të ndryshojë modelin e qeverisjes së territorit. Ne jemi ne kushtet e një emergjence kombëtare dhe jemi të vendosur që gjendjen jashtë kontrollit ne territorin e endit ta trajtojmë dhe përballojmë si gjendje të jashtëzakonshme. Ne kemi sfidën e një transformimi te madh social që nis me ato dhjetëra familje që janë afruar drejt qyteteve. Duhet të mbyllet epoka ku paratë e shqiptarëve u shfrytëzuan kuturu, planet dhe zhvillimet ne qytete u bene kuturu dhe duhet të hapet një epokë e re kur një model i zhvilluar në funksion të cilësisë së saj të zërë vend sa më shpejt. Ndaj ne do të ndryshojmë modelin e qeverisjes së territorit, tha Rama. Kryeministri i zgjedhur theksoi se modeli i zhvillimit i ndjekur në këto vite ka shkaktuar plagë, në territorin e vendit, në jetën sociale dhe ekonomike të vendit. Prej kohësh kemi konstatuar se modeli i zhvillimit i ndjekur gjithë këto vite ka shteruar, duke hapur plagë të mëdha në territorin e vendit, jetën sociale dhe ekonominë e vendit. Në fokus të debatit do jetë territori dhe ekonomia. Ne besojmë se një qasje e re ndaj territorit është e domosdoshme për të bërë një qasje të re ndaj problemeve ekonomike dhe sociale. Ne besojmë se sot vendi ka rënë pre e një zhvillimi kaotik. Jemi të vetëdijshme se pika më e dobët e konstatuar dhe nga KE dhe aleatët dhe partnerët tanë është hendeku ne rritje mes asaj që ligjërojmë në letër dhe asaj që jetojmë në realitet, deklaroi Rama. Në përfundim, Rama tha se zhvillimi i territorit duhet të shkojë paralel me sektorin ekonomik. Shqipëria sigurisht që në këto vite është zhvilluar, por pyetja është farë natyre ka pasur dhe sa i qëndrueshëm është ky zhvillim. Ky zhvillim a është në funksion të gjeneratës tjetër. Shqipëria ka ndërtuar, por ka shkatërruar shumë hapësirë në tokën e bukës, një zhvillim që ka sjellë transformim, u shpreh Edi Rama.
Peleshi: Nisje e re, nuk duhet të përsërisim gabimet e së shkuarës
Zëvendëskryeministri i ardhshëm Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij e vuri theksin mos përsëritja e gabime të së shkuarës në mënyrë që ti hapet rrugë ndërtimit të së ardhmes që do i japë fund tranzicionit. Padyshim që, kjo është një konferencë e cila sjell inpute shumë të rëndësishme në të gjithë debatin, apo në gjithë diskutimin tonë për të ndërtuar një plan zhvillimor. Ne mendojmë që na duhet të rishikojmë dhe të ndërtojmë një politikë të re në raport me territorin. Na duhet të rishikojmë të gjithë raportet tona me sfidat që u përmendën këtu, pra me ndërtimet pa leje, me zonat informale, por paralelisht edhe me planet e zhvillimit të Shqipërisë, duke filluar nga bregdeti, i cili sot është në një emergjence e duke vazhduar pastaj me gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë. Mu duk shumë interesant diskutimi i fundit i cili kishte të bënte me një qasje të ndryshme nga ajo çka ne kemi ndjekur deri tani. Pra, në qoftë se deri më sot ne kemi prodhuar strategji pa fund në sektorë të ndryshëm, për shkak të një sëmundje të vjetër ia kemi filluar nga fillimi me strategjitë tona të zhvillimit dhe në fund fare nuk mund të themi që Shqipëria ka ndjekur një strategji të caktuar të implementuar dhe të monitoruar me korrektesë. Sot ky është fillimi i ri sepse ngrihet mbi një qasje të re. Ne kemi shumë të nevojshme sot që të mos bëjmë gabimet e të shkuarës, duke u munduar të përpëlitemi mes strategjive që nuk kanë gjetur asnjëherë dhe nuk janë orientuar nga një fokus i drejtë, por të ndërtojmë një qasje e cila do të jetë historike dhe do ti përkasë gjeneratës së re të Shqipërisë dhe do të përkojë gjithashtu dhe me fundin e tranzicionit shqiptar. Sot është vetëm fillimi. Sot ne po marrim inputet dhe ide të rëndësishme nga vende të ndryshme zhvillimi dhe në të ardhmen të gjithë së bashku si shoqëri, jo vetëm si qeveri, por si shoqëri shqiptare të ndërtojmë rrugën e drejtë të të ardhmes së afërt dhe të largët për atë që ne kemi dëshirë të quajmë Shqipëria e Gjeneratës Tjetër, tha Peleshi.
Olldashi: Për të ardhur keq, Rama kryeministër pa asnjë projekt konkret
Ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi, reagoi për konferencën e organizuar nga PS.Në rrjetin social Facebook, Olldashi shkruan se Rama është duke u bërë kryeministër pa pasur asnjë projekt konkret për zhvillimin e vendit.Pashë takimin e Ramës për zhvillimin e territorit. Pyetja që vetiu mund të bëjë gjithkush në këtë moment është: A ka një plan ky njeri, apo po improvizon projekte? Kjo është qesharake! Për pak ditë do të jetë kryeministër i vendit dhe ende nuk ka të qartë se çfarë do të bëjë, si do e bëjë dhe sa do ti kushtojë. Nuk mundet që të vazhdojë të bëjë shoë me gjoja konsultime ekspertësh si këto që po bën se fundmi. Thjesht tregon qe nuk ka asnjë projekt konkret. Është për të ardhur keq, shprehet Olldashi.