Akuzat për Presidentin, PD-ja kërkon të vendosë emrat për dekretet
Partia Demokratike ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme me akuzat drejtuar kreut të shtetit për shkelje të Kushtetutës, në lidhje me mosemërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Madje, deputeti i kësaj partie, Eduard Halimi ka shkuar më tej, duke deklaruar se PD-ja do të ezaurojë çdo hapsirë ligjore për të detyruar presidentin, për të dekretuar emrin e kreut të Kushtetueses. Por, duket se synimi i vërtetë i PD-së dhe i kreut të saj, Berishës, është që të ndikojë tek kreu i Shtetit për të dekretuar në vendet vakante, si në Gjykatën Kushtetuese, ashtu dhe në Gjykatën e Lartë, gjyqtarët e tij të preferuar.
Presioni
Presioni për kryetarin e Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese fsheh në vetvete, pikërisht, synimin e PD-së për të përzgjedhur anëtarët e gjykatave më të rëndësishme të vendit. Një përpjekje e tillë do të vendoste nën varësinë e kryeministrit dhe të qeverisë, kupolën më të lartë të sistemit gjyqësor. Kjo tentativë duket qartazi, nga vetë deklaratat publike të Partisë Demokratike. Kjo për faktin se PD-ja deklaron se do të ezaurojë çdo hapsirë ligjore për të detyruar kreun e shtetit që të dekretojë sa më parë emrin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. E vetmja hapsirë ligjore që mund të ezaurohet në një situatë të tillë është kërkesa për shkarkimin e presidentit. Në bazë të Kushtetutës, PD-ja mund të bëjë propozim për shkarkimin e presidentit, në rast se mund të vërtetojë, ashtu sikurse po e akuzon, se ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”, - parashikohet në nenin 90 të Kushtetutës. Por, ashtu sikurse shkruhet në këtë nen, propozimi për shkakrimin e presidentit, duhet të miratohet me 94 vota, të cilat PD-ja nuk i ka. Dhe, nëse ky propozim arrin të marrë 94 vota, në bazë të pikës 3 të nenit 90 të Kushtetutës, “vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”. Pra, duket qartë se PD-ja nuk ka hapsira ligjore për të detyruar kreun e shtetit të dekretojë emrat për anëtarë dhe kryetarë të gjykatave më të rëndësishme të vendit.
Me një krizë të zgjatur politike nëpër këmbë, hapja e një fronti të ri mes PD-së dhe Presidentit, më shumë sesa për të shkarkuar kreun e shtetit, duket se bëhet për të diskretituar figurën e tij dhe për t’i dërguar atij një mesazh, se nuk ka mbështetje për të rikandiduar, për një mandat të dytë.
Deklarata
Halimi: “Ne i kemi mundësitë për të vendosur çdo institucion në kuadrin kushtetues”
Demokratët duken të vendosur për të plotësuar me çdo kusht vendet vakante në Gjykatën e Lartë si dhe për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Deputeti Eduard Halimi është shprehur dje se PD-ja është duke ndjekur me vëmendje situatën dhe po mendon për gjetjen e mundësive për të vendosur këtë institucion brenda kuadrit kushtetues. “Unë do t’ju garantoj se ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendje gjithçka që po ndodh. Jemi duke ndjekur me vëmendje situatën dhe jemi duke menduar në çdo moment për të zgjidhur këtë problem të madh, këtë akt të rëndë dhe të paprecedentë që ka ndodhur, ku kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën. Unë do t’ju garantoj se ne kemi të gjitha mjetet dhe mundësitë për të rivendosur çdo institucion në kuadrin kushtetutes, në kornizën kushtetuese dhe për të mos lejuar askënd që të thyejë Kushtetutën, qoftë dhe nga ideja e tij se mund të mungojë një hapësirë, ose një hapësirë tjetër, apo se mund të ketë një vakuum apo një vakuum tjetër. Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka asnjë vakuum, shteti ligjor nuk ka asnjë vakuum dhe ne i kemi të gjitha mjetet për të vendosur respektimin e ligjit gjithëkund. Sigurisht, në institucionin kryesor që është garant i Kushtetutës, që është Gjykata Kushtetuese”, - bëri të ditur, Eduard Halimi, sekretar i Grupit Parlamentar të PD-së. Halimi shton më tej se maxhoranca është e gatshme që në çdo moment të mbledhë Parlamentin, qoftë edhe gjatë gushtit, për të miratuar kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese, e drejtë propozimi e cila i njihet vetëm kreut të shtetit. “PD-ja, grupi parlamentar, ashtu siç ka treguar gjatë gjithë këtij viti, një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme në ushtrimin e mandatit të popullit, është e gatshme të tregojë një përgjegshmëri akoma më të lartë për t’u mbledhur, zhvilluar një seancë për t’i dhënë fund mungesës së kushtetutshmërisë së institucionit më të lartë të Drejtësisë shqiptare, siç është Gjykata Kushtetuese”, - vijoi Halimi. Dy ditë më parë, këshilltari ligjor pranë presidentit, Spiro Peçi deklaroi se kreu i shtetit nuk ka shkelur asnjë afat kushtetues në propozimin e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese dhe se dekreti do të jetë në fillim të shtatorit në Kuvend.
31 Korrik 2010