E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Nuk i kemi falur asnjë milimetër Greqisë

Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha, aktualisht ambasador i Shqipërisë në OKB, sqaroi dje para auditorit në Universitetin Europian të Tiranës marrëveshjen për ndarjen e ujërave territoriale me Greqinë. Duke qenë një prej hartuesve të saj, ai theksoi se debatet për këtë marrëveshje, të zhvilluara deri më tani në shtyp, janë abuzime dhe janë bërë në bazë të hamendësive, duke mos ofruar asnjë fakt apo argument të vërtetë që të kundërshtojnë qëndrimin e qeverisë. Duke hedhur poshtë kategorikisht këta zëra, ambasadori Hoxha theksoi fort se pala shqiptare nuk i ka falur asnjë milimetër nga hapësira e saj detare shtetit fqinj grek. "Ne nuk kemi lënë asnjë centimetër dhe nuk kemi dhuruar asnjë metër nga hapësira jonë detare", u shpreh Hoxha, duke theksuar se pala shqiptare nuk ka hyrë në bisedime për të fituar më shumë se sa i takon Shqipërisë, por vetëm për të ndarë dhe për ta bërë detin një pikë takimi dhe jo një brez ndarës me Greqinë. Për gati 20 minuta ai analizoi faktin se Shqipëria dhe Greqia, si dy vende fqinje bregdetare, nuk i kanë përcaktuar asnjëherë më parë kufijtë detarë ndërmjet tyre, pasi në protokollin e Firences, më 26 korrik 1926, është përcaktuar vetëm kufiri tokësor. Ai sqaroi se ka qenë pala shqiptare që në vitin 1993 kërkoi të vendoset edhe kufiri detar, por kjo çështje nuk është diskutuar më deri në vitin 2006. Në atë kohë, pala greke, thekson Hoxha, është angazhuar më seriozisht për realizimin e saj pas publikimit në një të përditshme shqiptare të një harte që përcaktonte vendin se ku po kërkohej nafta në det nga një kompani e huaj e licencuar prej qeverisë shqiptare. U ngrit pretendimi se po kërkohej të shfrytëzohej në një territor, i cili, sipas përllogaritjeve greke, gjendet në një hapësirë detare që koincidon me atë që do të ishte vija mediane, nëse do të ishte ndarë hapësira detare më parë. Duke mos pasur kundërshtim për këtë kërkesë, theksoi Hoxha, pasi pala shqiptare ishte e interesuar për të krijuar kufirin ujor, qeveria shqiptare ka pranuar dhe ka ngritur grupin e punës, i cili ka filluar negociata me palën greke. Ish-sekretari i përgjithshëm i ministrisë, vlerësoi se bisedimet janë zhvilluar mbi disa parime, duke marrë për shembull edhe vende të tjera që kanë përcaktuar Shelfin e tyre kontinental. "Takimet janë bërë sipas standardeve që kërkohet dhe nuk është zhvilluar asgjë në mënyrë të fshehtë apo jo transparente", u shpreh diplomati Hoxha. Duke kundërshtuar deklarimet në media, Hoxha theksoi se nuk është e vërtetë që vija ndarëse e përcaktuar në marrëveshje ka ndryshuar nga vija e vjetër e përcaktuar më parë. Ai sqaroi se midis bregdetit shqiptar dhe ishujve grekë nuk ekziston asnjë koordinatë e saktë gjeografike. Më pas Hoxha, ashtu si edhe kundëradmirali Kristaq Gerveni, ka hyrë në disa terma teknikë, duke shpjeguar hartimin e marrëveshjes. Duke u ndalur te Konventa e Detit ai theksoi se gjiri i Sarandës është gji i mbyllur dhe llogaritja e koordinatave nuk ka filluar nga qyteti, por nga dy kepet që e përcaktojnë këtë gji. Ai tha se kufiri detar, sipas marrëveshjes, është bërë duke u bazuar tërësisht në metodat bashkëkohore të përcaktimit të kufirit detar dhe mbi parimet që respektojnë legjislacionet shqiptare në fuqi. Më pas ka qenë kundëradmirali Gërveni, i cili për më shumë se dy orë ka shpjeguar me detaje dhe me harta të gjithë marrëveshjen, nga e cila, sipas tij, rezulton se është ndarë thjesht kufiri detar dhe nuk i është falur shtetit fqinj asnjë milimetër hapësirë ujore. Kundëradmirali sqaroi edhe pozicionet nga ku është nisur matja e përcaktimit të kufirit detar, mënyra sesi bëhet, duke pasur parasysh të drejtën detare dhe ka theksuar se hapësira mes kufirit dhe bregut nuk është 22 km sa pretendohet në media dhe nga disa ekspertë, por 39.8 km.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›